Hong Kongu në “flakë”

Mijëra protestues vazhdojnë të mbajnë qendrën e qytetit të Hong Kongut të bllokuar me moton “për më shumë demokraci” dhe nën brohoritjet e masës: “Forca Hong Kong”; “Duam Liri”; “Duam demokraci”; “Jo ndërhyrjes së Pekinit”

Bota

02/10/2014 13:01

Edhe pse në numër më të vogël, ata qëndrojnë edhe gjatë natës përpara ndërtesave qeveritare, të cilat janë zotuar se do t’i uzurpojnë në rast se shefi ekzekutiv, CY Leung, nuk jep dorëheqje brenda ditës së sotme.

Demonstruesit, të cilët mbrëmë kanë mbajtur në duar mijëra qirinj të ndezur, kërkojnë dorëheqjen e shefit të qytetit të tyre për shkak të përkrahjes së vendimit të marrë nga qeveria kineze që në zgjedhjet e vitit 2017, edhe në Hong Kong, të votohet duke u bazuar në “reformën e re zgjedhore”

Me këtë vendim, kryetari apo anëtari i Këshillit të Qytetit, i zgjedhur me votën e popullit, mund të diskualifikohet, nëse  vlerësohet i “papërshtatshëm” nga Partia Popullore (Komuniste) e Kinës.      

Ky qëndrim është i papranueshëm për qytetarët e Hong Kongut, të cilët duan të ruajnë sistemin e tyre të qeverisjes, përndryshe zotohen se nuk do të largohen nga qyteti, i cili është ndër qendrat kryesore financiare botërore.

Në ditën e gjashtë të protestës, në Hong Kong janë vërejtur më shumë forca policore nëpër rrugë, por prania e tyre vetëm sa është duke shtuar numrin e qytetarëve që po i bashkëngjitet protestës, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Të dielën që kaloi, policia, me urdhër të shefit ekzekutiv të qytetit u përpoq të shpërndajë masën duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës, mirëpo aksioni rezultoi kontraporduktiv, duke çuar drejt dështimit përpjekjet e organizatorëve dhe të  CY Leung për të arritur ndonjë marrëveshje të përkohshme.

Demonstruesit kanë shprehur gatishmërinë për të biseduar me ndonjë nga përfaqësuesit e qeverisë Kineze, mirëpo si duket Pekini zyrtar e ka vendosur të shtrijë qeverisjen e “partisë-shtet” edhe në Hong Kong.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Jonh Kerry, i pyetur të komentojë atë që po ndodh në Hong Kong, tha se protestat në këtë qytet janë të paligjshme, se askush nuk do të lejohet të shkel rendin publik, dhe u bëri thirrje protestuesve të shpërndahen .

Ndërsa në komentin e Sekretarit Kerry, i cili tha se çështjen e protestave në Hong Kong duhet trajtuar me kujdes, dhe se kjo është një sfidë të cilën duhet ta kalojë Pekini, homologu i tij kinez iu “kundërpërgjigj” me komentin se “çështja e Hong Kongut është çështjet e brendshme të Kinës”.

Sipas parimit “një vend, dy sisteme”, Hong Kong, i administruar për 100 vjet nga Britania e Madhe, ka një sistem ekonomik dhe politik të ndryshëm nga ai i Republikës Popullore të Kinës.

Ky qytet ka një ekonomi të fuqishme kapitaliste të shërbimit, e karakterizuar nga taksat e ulëta, tregtia e lirë dhe ndërhyrja minimale e qeverisë në ekonomi. /lajmi.net/