‘Home Sweet Home’ me premierë botërore në Karlovy Vary

Festivali i njohur i filmit Karlovy Vary ka shpallur listën e filmave që do të shfaqen në edicionin e 51-të të këtij festivali e ndër ta është edhe filmi kosovar ‘Home Sweet Home’ me skenar nga Zymber Kelmendi dhe regji nga Faton Bajraktari që do të ketë premierën në Karlovy Vary në korrik të këtij viti.

ShowBiz

31/05/2016 14:02

Sipas një komunikate nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ‘Home Sweet Home’ flet për Kosovën e pasluftës dhe për historinë e Agronit i cili për disa vite ka qenë i zhdukur dhe pasi kthehet në shtëpi, ai përballet me rrethin, të cilët, emrin e tij e kanë përdorur për përfitime personale.

Në rolet kryesore luajnë Donat Qosja, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi etj.

Ky film me regjisor debutant Faton Bajraktari dhe me skenarist Zymber Kelmendi dhe producent Trim Musliu do të jetë në konkurrencën zyrtare ku garojnë për çmimin e parë në kategorinë East of the West.

Filmat kosovar këto vitet e fundit kanë qenë shumë të pranishëm në këtë festival prestigjoz duke cekur çmimet që filmi ‘Babai’ nga Visar Morina fitoi vitin e kaluar e gjithashtu edhe premierat e filmit ‘Bota’ nga Iris Elezi dhe Thomas Logoreci si dhe filmit ‘Krom’ nga Bujar Alimani.

‘Home Sweet Home ’ është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Agjencia e Filmit në Maqedoni dhe pas premierës pritet të shfaqet në festivale të shumta. /KosovaPress/