Homazhe për 16 vjetorin e rënies së Shkëlzen Haradinajt

Në gjashtëmbëdhjetëvjetorin e rënies heroike të njërit nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj, janë bërë homazhe tek busti i tij në Pejë.

Lajme

16/04/2015 17:41

Prindërit e tij, vëllezërit e familjarë të tjerë vendosën kurora lulesh pranë bustit të tij.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u pa i emocionuar tek busti i të vëllait. Tha se u mungojnë ai dhe të gjithë të rënët për liri.

“Na mungojnë shumë, por fatmirësisht e kemi lirinë, ma keq ish kanë mos me pas lirinë”, tha ai.

Shkëlzen Haradinaj ishte komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës heroike 131 “Jusuf Gërvalla”: Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të gjithë nga Gllogjani.

Emrin e heroit Shkëlzen Haradinaj, sot e mbajnë sheshet e rrugët anekënd Kosovës e Shqipërisë. Në qendër të Pejës, është ngritur busti i heroit, ku edhe sheshi mban emrin e tij.

Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë ia ndau gradën gjeneral kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shkëlzen Haradinaj është dekoruar me urdhrin ‘Hero i Kombit’.