Holanda triumfon ndaj Gjermanisë me tre gola epërsi, “lëkundet” Low

Holanda ka arritur ta mund skuadrën e Gjermanisë, me rezultatin 3:0.

Sport

13/10/2018 22:34

Ishin gjermanët që e filluan më mirë takimin duke mbajtur nën presion “tulipanët” për 15 minutat e para të takimit.

Pasi Holanda filloi të “ngjallet” ndeshja filloi të bëhet më interesante.

Ishte minuta e 30’ kur Virgil Van Dijk zhbllokoi shifrat për ti dhënë epërsinë skuadrës së tij.

Me këtë gol, skuadrat shkuan në pushim.

Pjesa e dytë ishte diçka më e balancuar. Gjermania ishte më kërkuese për të barazuar shifrat. Në anën tjetër ishte Holanda që rrezikonte kohë pas kohe.

Inkuadrimi i Sane dhe Werner rriti edhe më shumë tempon e “panzerëve”, mirëpo konkretizim nuk pati.

Krejt afër fundit të takimit, në minutën e 87, ishte Memphis Depay i cili vulosi fatin e takimit, kur realizoi golin e dytë.

“Fundosja” e Gjermanisë erdhi në minutën e 92′ kur Wijnaldum realizoi për 3:0.

Shenj e mirë kjo për Koeman i cili po bën mirë me Holandën, kurse Low në anën tjetër po i “lëkundet” karriga. /Lajmi.net/