Holanda me emra të rinj kundër Anglisë

Ndonëse bëhet fjalë për një test miqësor, përballjet ndërmjet këtyre dy vendeve nuk kanë qenë kurrë të tilla, për më tepër në ‘Amsterdam Arena’, në orën 20:45.

Sport

23/03/2018 09:43

Anglia e Gareth Southgate do të sfidojë në Amsterdam, në një takim miqësor, Holandën, që është pjesë e atyre pak skuadrave kombëtare me të cilën përfaqësuesja e “tre luanëve” ka bilanc negativ, ndeshje ku 47-vjeçari nga Watfordi sidoqoftë ka detyrën e vështirë për të bërë zgjedhjet e fundit në prag të kampionatit të ardhshëm Botëror.

Ndonëse bëhet fjalë për një test miqësor, përballjet ndërmjet këtyre dy vendeve nuk kanë qenë kurrë të tilla, për më tepër në ‘Amsterdam Arena’, në orën 20:45 do të masin forcat dy skuadra që patën fate të ndryshme në ndeshjet kualifikuese. Holanda deri diku pritej që të pozicionohej pas Francës, finaliste të evropianit të fundit, por sidoqoftë aventura e “portokallinjve” në fazën e grupeve rezultoi krejtësisht e dështuar, sepse “tulipanët” u kaluan në renditje edhe nga Suedia, që gjithsesi më vonë, edhe pse pa Zlatan Ibrahimoviç në përbërje, ia doli mbanë për të lënë jashtë botërorit gjithashtu edhe Italinë, teksa i eliminoi “të kaltrit” e Venturës në fazën play off.

Për vendasit bëhet fjalë për një proces të natyrshëm rritjeje dhe trajneri i ri i përfaqësueses holandeze Ronald Koeman, që karrierën si trajner e ka filluar pikërisht në kombëtare, si asistent i të mirënjohurit Guus Hiddink, tashmë ka për detyrë të ngrejë moralin e një vendi, që ka qenë vazhdimisht pjesë e aktiviteteve më të rëndësishme futbollistike në glob. Mbi të gjitha për Holandën nis një epokë e re pa dy lojtarë tepër të rëndësishëm si Arjen Robben dhe Wesley Sneijder, gjithsesi themelet duket se janë hedhur dhe “portokallinjtë” kërkojnë të mbështeten te lojtarët e brezit të ri, por kjo gjë kuptohet lehtësisht edhe nga mosha mesatare e ekipit, që nuk është as 25 vjeç.

Pas disfatës 4-0 me Francën në Saint-Denis, “tulipanët” numërojnë 5 fitore radhazi, duke u ngjitur kështu në vendin e 21-të në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Nga podiumi i botërorit brazilian tani Holanda përballet me një realitet krejt ndryshe, megjithatë drejtuesit e Federatës nuk kanë qëndruar duarlidhur dhe kanë siguruar miqësore luksi me skuadra si Anglia, Portugalia, apo dhe Italia në fillim të muajit qershor. Nëse “portokallinjtë” do ta ndjekin Kupën e Botës në Rusi si spektatorë, “tre luanët” pretendojnë për t’u përfaqësuar në botërorin e ardhshëm me rol të mirëfilltë prej protagonistësh.

Pritshmëritë janë tepër të larta për kombëtaren angleze në Kupën e Botës, megjithatë për hir të së vërtetës përfaqësuesja e Gareth Southgate kuotohet nga bookmakers-at vetëm e 7-a dhe pozicionohet vetëm 5 vende më lart në renditjen e FIFA-s, pra në vendin e 16 me vetëm 83 pikë më shumë se sa Holanda. Enigmat te Anglia janë të shumta, por gjithsesi në mungesë të Harry Kane, i dëmtuar, Southgate pritet t’i besojë sulmin emrave të tillë si Jamie Vardy, Marcus Rashford dhe Raheem Sterling, përcjell “SuperSport.al”.

Do të mungojë gjithashtu edhe Ryan Bertrand, sidoqoftë trajneri i “tre luanëve” pritet të eksperimentojë, madje duke i përdorur të 27 lojtarët e grumbulluar në harkun e 5 ditëve, pra si në takimin me Holandën ashtu edhe në duelin me Italinë, që do të luhet të martën në mbrëmje në Wembley. Anglia është shortuar në botërorin e ardhshëm në Grupin G me Belgjikën, Panamanë dhe Tunizinë, gjithsesi deri në startin e Kupës së Botës mbeten më pak se tre muaj, kështu që Gareth Southgate ka detyrën e vështirë për të seleksionuar 23 emrat përfundimtarë, që duhen dorëzuar një muaj para fillimit, pra më datën 14 maj.

4 nga 5 fitoret e Anglisë ndaj Holandës janë regjistruar në ndeshje miqësore, sidoqoftë “tulipanët” që kanë fituar dy sfidat e fundit ndërmjet tyre, për më tepër brenda në Wembley, kryesojnë 6-5 bilancin e përgjithshëm, në 20 takime gjithsej, madje vlen të përmendet fakti që “tre luanët” i kanë mundur “portokallinjtë” vetëm një herë në 13 përballjet e fundit.