Hodzic kërkon rivotim në tërë Mitrovicën e Veriut

Adrijana Hodzic thotë se dyshon që do të ketë përmirësim të sigurisë ditën kur të mbahet rivotimi në tri vendvotime të Mitrovicës së Veriut.

Lajme

06/11/2013 09:36

Adrijana Hodzic, njëra ndër kandidatet për Kryetare të Komunës së Mitrovicës së Veriut, thotë që e tërë kjo komunë duhet të shkojë në rivotim, e jo vetëm tri vendvotimet e sulmuara të dielën nga grupet ekstremiste të serbëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur mbrëmë që në tri vendvotimet ku grupet ekstremiste serbe shkatërruan materialin zgjedhor të ketë rivotim, por Adrijana Hodzic thotë që rivotimi duhet të mbahet në 33 vendvotimet e kësaj komune të re.

Megjithatë, Hodzic ka thënë të mërkurën për lajmi.net se nuk pret që rivotimi të sjellë mrekulli në kuptimin e sigurisë, meqë, sipas saj, institucionet përgjegjëse për sigurinë nuk kanë lënë hapësirë për të shpresuar, në bazë të asaj që kanë treguar më 3 nëntor.

“Nëse do të ketë rivotim, atëherë kjo duhet të bëhet në të gjitha vendvotimet, e jo vetëm në tri prej tyre”.

“Siguria në vendvotime varet nga koha kur do të mbahen këto zgjedhje. Nëse ato organizohen shpejt, unë nuk pres që të ketë siguri të mjaftueshme sepse nuk mendoj që institucionet përgjegjëse për sigurinë mund të ofrojnë kushte të duhura për votim brenda një kohe të shkurtër.

“Dyshoj që gjithçka mund të shkojë në rregull. Institucionet e sigurisë nuk kanë një strategji që mund të japë rezultate. Ato kanë treguar se nuk janë të gatshme të intervenojnë për t’i parandaluar incidentet”, thotë Hodzic për lajmi.net.