Hodgson e harron Januzajn

Selektori i Anglisë, Roy Hodgson nuk mërzitet që Adnan Januzaj ka vendosur të luajë për Belgjikën. Ai e kupton vendimin e yllit të Manchester Unitedit dhe insiston se 19-vjeçari nuk kishte të drejtë loje për Anglinë deri më 2018.

Sport

02/05/2014 10:42

Roy Hodgson nuk e ka ndërmend të humb gjumin pas refuzimit nga Adnan Januzaj për inkuadrim në Kombëtaren e Anglisë.

Federata angleze ishte e interesuar që Januzaj të përfaqësonte Anglinë, por javën e kaluar, ylli i Manchester Unitedit përzgjodhi Belgjikën, shtetin e vendlindjes së tij.

Januzaj, i cili mund të përcaktohej edhe për Shqipërinë, Kosovën e Turqinë, konsiderohet si një prej talentëve më të mëdhenj në Angli, pas depërtimit në edicionin e tij të parë me ekipin e gjigantit nga Old Trafford.

Por, Hodgson ka pranuar se do të ishte e çuditshme që Januzaj të vendoste të luajë për Anglinë, sidomos për faktin se nuk do të kishte drejtë të inkuadrimit për katër vite të tjera.

“Nëse një futbollist nuk ka të drejtë loje për Anglinë deri më 2018, atëherë ku qëndron problemi nëse shkon për të luajtur për dikë tjetër”, deklaroi Hodgson për 19-vjeçarin.

“Më vjen keq, por nganjëherë nuk e kuptoj krejt këtë tollovi të krijuar. Ai nuk është anglez, po ashtu, duhet të jemi të sinqertë. Nuk mund të debatojmë shumë, nën rregullat e tanishme të FIFA-së, deri më 2018, ai nuk do të kishte të drejtë loje për Anglinë. Por, si mund të hidhëroheni më 2014, nëse ai shkon dhe luan për një tjetër shtet për të cilin ka të drejtë? Ai u lind dhe u rrit në Belgjikë. Ne nuk mund të dëshpërohemi nga kjo”, shtoi ai.

“Do të ishte krejt ndryshe nëse ai do të kishte të drejtë loje për ne dhe do të vendoste të shkonte për të luajtur për Belgjikën. Pyetja duhet të jetë relevante. Por, nuk është relevante andaj ai nuk mund të luante për ne deri më 2018”, përfundoi Hodgson.