Historia sekrete e krizës financiare

Siç tregon historia sekrete e vitit 2008, me rëndësi në ekonominë globale është se kush ka qasje në Rezervën Federale të SHBA've.

Opinion

17/03/2014 15:52

PRINCETON – Novela e madhërishme e Balzak’ut Iluzionet e humbura mbaron me shfaqjen e dallimit në mes të “historisë zyrtare,” e cila është e “tëra me gënjeshtra,” dhe “historisë sekrete” – që është tregimi i vërtetë. Në të kaluarën ka qenë e mundur të shtrembërohen të vërtetat skandaloze të historisë. Por, jo më.

Askund nuk është më e shfaqur se në tregimin për krizën globale financiare. Tregimi zyrtar portretizoi Rezervën Federale të SHBA’ve, Bankën Qendrore Europiane dhe bankat tjera të mëdha qendrore, si përqafues të veprimeve të koordinuara për të shpëtuar sistemin financiar nga shkatërrimi. Por, transkripti i publikuar së fundmi për mbledhjet e vitit 2008 të Komitetit Federal për Treg të Hapur (institucioni vendimmarrës i Rezervës Federale), tregon se Rezerva Federale në mënyrë efektive ka dal nga kriza si banka qendrore e botës, përderisa vazhdonte t’i shërbente kryesisht interesave amerikane.

Mbledhjet më të rëndësishme u zhvilluan me 16 shtator dhe 28 tetor – pas dështimit të bankës investive Lehman Brothers nga SHBA – dhe u fokusuan në krijimin e marrëveshjeve për shkëmbimin e monedhave, me qëllim të sigurimit të likuiditetit adekuat për banka. Rezerva Federale do të lëshonte kredi në dollarë për një bankë të huaj në shkëmbim të monedhës së saj, të cilën banka e huaj u pajtua ta blejë përsëri, pas një periudhe të caktuar me kursin e njëjtë të këmbimit, plus interesin. Kjo u dha bankave qendrore – sidomos atyre në Europë të cilat kishin mungesë të dollarëve, pasi që investitorët amerikan u tërhoqën – dollarët e nevojshëm për të huazuar për institucionet e sfiduara të sistemeve vendore financiare.

Në të vërtetë, Banka Qendrore Europiane ishte ndër bankat e para që arriti një marrëveshje me Rezervën Federale të SHBA’ve, e pasuar nga bankat qendrore të vendeve tjera të zhvilluara, duke përfshirë Bankën Qendrore Zvicerrane, Bankën e Japonisë dhe Bankën e Kanadasë. Gjatë takimit në tetor, katër ekonomi të rëndësishme “diplomatike dhe ekonomike”– Meksika, Brazili, Singapori dhe Korea Jugore – iu bashkëngjitën veprimit, përmes së cilës Rezerva Federale e SHBA’ve u pajtua të themelojë linja shkëmbimi, në vlerë prej $30 miliardë me gjithsecilën bankë qendrore të këtyre shteteve.

Edhe pse Rezerva Federale veproi si një bankë qendrore globale, veprimet e saj ishin të formësuara para së gjithash nga interesat e SHBA’ve. Për fillestarët, Rezerva Federale refuzoi aplikacionet nga disa shtete – emrat e së cilave ishin redaktuar nga transkripti i publikuar – për t’u bashkëngjitur skemës së shkëmbimit të monedhave.

Për më shumë, në skemat e shkëmbimit ishin vendosur limite. Esenca e bankës qendrore për funksionin e institucionit të fundit për huazim, ka qenë dhënia e fondeve të pa limituara, pasi që nuk ka limit në vlerën e dollarëve që Rezerva Federale mund të prodhojë. Për këtë arsye asnjë pjesëmarrës në tregjet financiare, nuk mund të marrë pozicion spekulativ kundër saj. Përkundër, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka burime të limituara, të cilat ofrohen nga shtetet anëtare të saj.

Rritja e rolit ndërkombëtar të Rezervës Federale nga viti 2008, reflekton një ndërrim thelbësor në qeverisjen globale të parasë. FMN është themeluar në kohën kur shtetet ishin viktimizuar nga spekulimet e rastësishme të bankierëve të New York’ut, si vlerësimi i J.P. Morgan në vitet 1920’ta që gjermanët ishin në mënyrë “thelbësore njerëz të shkallës së dytë.” FMN ishte një tipar i rëndësishëm i rendit ndërkombëtar në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore, e cila kishte për qëllim të shërbente si një mekanizëm universal i sigurisë – jo një i cili mund të shfrytëzonte interesat diplomatike të kohës.

Sot, ashtu si tregojnë qartë dokumentet e Rezervës Federale, FMN është e margjinalizuar – jo për shkak të politikave jo efektive. Në të vërtetë, në fillim të krizës, FMN kishte filluar të zvogëlohet, duke supozuar se kërkesa për resurset e saja, do të ishte gjithmonë e ulët në të ardhmen.

Në vitin 2010, FMN u mundua të ringjallet, duke e prezantuar veten si institucioni kryesor për zgjidhjen e krizës së Eurozonës – duke filluar me rolin e saj në shpëtimin e bankave greke. Por, edhe këtu, edhe një histori sekrete ishte zbuluar – një e cila thekson se sa e njëanshme është bërë qeverisja globale monetare.

E vërteta qëndron në atë që vetëm SHBA dhe shtetet e mbi përfaqësuara të Bashkmit Europian, përkrahën shpëtimin e sistemit financiar të Greqisë. Të gjitha ekonomitë me rritje të shpejtë e kundërshtuan shpëtimin e Greqisë me përfaqësuesin e Brazilit, duke e quajtur atë si “shpëtim i mbajtësve privat të huave greke, kryesisht të institucioneve financiare Europiane.” Edhe përfaqësuesi zviceran e kritikoi masën e shpëtimit.

Pozita e FMN’së është duke u mjegulluar me largimin e frikës për shpërbërjen e Eurozonës. Edhe pse FMN duhet të ketë superioritet ndaj kreditorëve, ajo do të ketë kërkesa për të falur një pjesë të kredive të lëshuara nga ajo. Shtetet më të varfra të vendeve në zhvillim duhet t’i rezistojnë veprimeve të tilla, duke argumentuar që qytetarët e varfër të tyre nuk duhet të vihen në pozitë që të paguajnë borxhet e vendeve financiarisht të pa disiplinuara në vendet e pasura.

Përkrahësit origjinal të FMN’së janë duke e kundërshtuar atë. Zyrtarët e BE’së janë të pakënaqur me përpjekjet e FMN’së për të marrë përkrahje nga vendet e Europës, të cilat kanë dhënë fonde kreditore, për të falur borxhet e kredive të cilat ato nuk i kanë lëshuar. Dhe, Kongresi Amerikan ka refuzuar të rrisë resurset e FMN’së, si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare të arritur në samitin e G-20 në vitin 2010.

Pakënaqësitë që u përcollën më emërimin e njëjtë të Drejtorit Menaxhues të FMN’së nga Europa në vitin 2011, do të sigurojnë që emërimi i ardhshëm nuk do të vijë nga Europa. Dhe më këtë, roli në rënie i FMN’së nuk do të këtë aq rëndësi. Siç tregon historia sekrete e vitit 2008, me rëndësi është se kush ka qasje në Rezervën Federale të SHBA’ve.

Harold James është profesor i historisë në Universitetin e Princeton dhe hulumtues i avancuar në Qendrën për Inovacion dhe Qeverisje Ndërkombëtare.

(Të drejtat autoriale: Project Syndicate, 2013, 
www.project-syndicate.org. lajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.)