Historia rrëqethëse e Lennart Thy, sulmuesit që fitoi çmimin ‘Fair Play’ të FIFA-s

Shtëpia më e madhe e futbollit, FIFA, në një ceremoni mbresëlënëse të organizuar në Londër ka shpërblyer më të mirët e vitit 2018.

Sport

25/09/2018 00:00

Në këtë ceremoni, është dhënë edhe çmimi i FIFA-s për gjestin ‘Fair Play’.

Ky çmim këtë vit i ka takuar ish sulmuesit të VVV Venlo, Lennart Thy.

Pas sulmuesit 26 vjeçar gjerman, qëndron një histori sa emocionuese aq edhe frymëzuese, e cila ka bërë bashkë gjithë botën e futbollit në Holandë.

Në mars të këtij viti, Thy i ka kërkuar skuadrës së tij, VVV Venlo që të mungojë në ndeshjen kundër PSV, për të ndihmuar një person që vuante nga leukemia dhe kishte nevojë për transplant  të qelizave burimore.

Personi në fjalë urgjentisht kishte nevojë për të krijuar qeliza burimore, për të shpëtuar jetën.

Thy mori lejen dhe mungoi në sfidën ndaj PSV, që VVV Venlo e humbi 3:0.

Gjesti i tij u duartrokit nga tifozët e të dy skuadrave, ndërsa PSV vendosi ta shpall Lennart Thy lojtarin e ndeshjes, edhe pse këmba e tij nuk shkeli fare në fushë atë ditë.

Gjesti i tij u përshëndet edhe nga tifozët e skuadrave tjera në elitën e futbollit holandez.

Një transparent i madh që shfaqte respekt për Thy u vu në stadiumin e Vitesses gjatë ndeshjes me Hecalces, ndërsa pati duartrokitje të mëdha gati një minutë gjatë takimit Heerenven – Utrecht./Lajmi.net/