Historia jetësore e Adnan Januzajt

Debati që qarkullon se cilin shtet duhet ta përfaqësojë Adnan Januzaj duket më i civilizuar në Angli se kudo tjetër. Javën e kaluar, një televizion shqiptar diskutoi për tinejxherin më të kërkuar në Evropë gjatë një programi me titullin Hero apo Tradhtar, ku ky emërtim i fundit do të vlente nëse ai ia kthen shpinën…

Sport

17/10/2013 11:03

Debati që qarkullon se cilin shtet duhet ta përfaqësojë Adnan Januzaj duket më i civilizuar në Angli se kudo tjetër. Javën e kaluar, një televizion shqiptar diskutoi për tinejxherin më të kërkuar në Evropë gjatë një programi me titullin Hero apo Tradhtar, ku ky emërtim i fundit do të vlente nëse ai ia kthen shpinën trashëgimisë së tij familjare për të përfaqësuar dikë tjetër.

Në fytyrën e 18-vjeçarit i cili doli në skenë me dy gola të shkëlqyeshëm në vetëm paraqitjen e tij të tretë për Manchester Unitedin, do të duhej të kishte shenja lazdrimi nga zgjedhja e gjerë. Stili i tij i drejtpërdrejtë dhe aftësia për të dribluar mbrojtësit sikurse të ishte gjëja më e thjeshtë në botë, ka befasuar shumëkënd.

Mirëpo, realiteti është krejt tjetër dhe ata që kanë takuar Januzajt gjatë rrugëtimit të tij mërziten nga presioni që është duke iu vënë atij. I lindur në Bruksel, Januzaj është biri i një qifti nga Kosova-Shqipëria, që u largua nga kriza në Ballkan për të shpëtuar nga skamja dhe persekutimi, i vuajtur nga anëtarë të tjerë të familjes.

Tregimi i tij, i vërtetë, është pasqyruar në një reportazh nga Daily Mail. Januzaj mund të luajë për Belgjikën, Shqipërinë, Kosovën, Turqinë ose Anglinë, kurse deri më tani ai nuk ka zbuluar preferencën e tij, njësoj sikurse babai i tij, Abedini.

Menaxheri i Januzajt, Dirk de Vriese ka thënë se asnjë anëtar i familjes nuk do të bisedoj deri në arritjen e marrëveshjes për vazhdimin e kontratës me Unitedin, edhe pse shumë klube të mëdha evropiane janë të gatshme të përfitojnë nga ngecja e bisedimeve.

Por, pa dyshim se në brendi ka diçka edhe më tepër se kaq. Qarkullon një bindje se Kosova do të ishte zgjedhja e tij e parë, nëse do të ishte e pranuar në asociacione ndërkombëtare. Andaj, tani për tani, Anglia konsiderohet si alternativa e preferuar. Federata angleze beson se është kështu dhe është duke bërë përpjekje ta pajis me pasaportë britanike që mund të zgjatë deri në pesë vjet në bazë të rregullës së qëndrimit të FIFA-s.

Por, as kjo, me imazhin e një futbollisti të paguar jashtëzakonisht mirë, nuk është pasqyra e një djaloshi të ri të talentuar, dhe familjes së tij. Nga mësuesit e tij e deri tek trajnerët e rinj, askush nuk e ka asnjë fjalë të keqe për këtë djalosh ose babanë e tij. Madje as Anderlecht, klub i futbollit nga Brukseli që e humbi atë në moshën 16-vjeç kur ai kaloi në United, i uron qdo të mirë.

“Nuk jemi të lumtur që një futbollist të cilin e kemi humbur për 300 mijë euro, shumë që ishte caktuar nga FIFA, tani vlen 20 milionë euro”, deklaroi zëdhënësi i Anderlechtit, David Steegen për Sportsmail.

“Ai lindi në Bruksel, u edukua këtu në klubin tonë, është një prej nesh, dhe kjo na hidhëron duke konsideruar atë që ndodhi. Por, jemi të lumtur për Adnanin, ai është djalosh i mirë”. Në Belgjikë qarkullojnë njoftime të pakonfirmuara se United do të paguajë 200 mijë euro shtesë për familjen e Januzajt duke i stabilizuar ata në një shtëpi, në një prej lagjeve më të mira të Manchesterit, ku ai jeton me nënën dhe babanë.

Steegen megjithatë, e pranon se Anderlecht ia bëri RWDM Brukselit atë që United ua bëri atyre katër vjet më vonë. RWDM, ishte një skuadër lokale nga Brukseli ku Abedini e dërgonte Adnanin për të stërvitur, pasi largohej nga dyqani i Chevrolet-Open ku punonte si kontabilist.

“Ne qysh atëherë e vërenim se Adnan ishte futbollist fantastik”, deklaroi Jean-Paul Pira, i cili udhëheq ekipet e të rinjve në RWDM. “Ai nuk ishte i madh, ishte i njomë, por teknika e tij nuk ishte e zakonshme. Në një ndeshje U-10 më kujtohet se shënoi 16 ose 17 gola në fitore 22-0”.

Pira po ashtu e kujton babanë e Adnanit: “Ai ishte gjithmonë i qetë dhe përkrahës, por asnjëherë nuk i thoshte atij se kishte luajtur mirë, vetëm se mund të përmirësohet”.  RWDM nuk e përfitoi asnjë cent nga Anderlecht. “Zero”, tha Pira. Sir Alex Ferguson e ka lavdëruar Januzajn si “futbollist të balancuar”, derisa trajneri i ekipit të rinjve në Anderlecht, Jannick Ferrera, e ka krahasuar atë me Johan Cruyffin.

Është interesant edhe fakti se ai ndan ditëlindjen me Cristiano Ronaldon, Neymarin dhe Carlos Tevezin: 5 shkurt. Shumëkush – përfshirë një ish bashkëlojtar të rij nga ekipi i të rinjve në Anderlecht – e identifikojnë babanë e Januzajt si njeriun me ndikimin më të madh tek mesfushori.

“Januzaj është talenti më i madh që kam luajtur me të. Ai ishte aq i shpejtë në hapat e parë sa që të gjithë kundërshtarët mbeteshin të befasuar”, deklaroi Michael Heylen, i cili është tani në Courtrai.

“Por, nëse Adnani luante keq në një ndeshje, babai i tij ia përkujtonte këtë. Nganjëherë ai ka qenë aq i ashpër sa që Adnan kishte lot në sy. Por, kisha përshtypjen se babai i tij e dinte se çka ishte duke bërë. Ai e mësoi birin e tij të duroj goditje, dhe kjo ishte e mirë për zhvillimin e tij”.

Anderlecht e konsideron Abedinin si më meritorin që Adnani gjithmonë ka qëndruar me këmbë në botë. Nuk ka tatuazhe, vetura luksoze. Ai nuk ka as marrëveshje me sponsorë, pasi Abedini është aq i bindur se biri i tij do të arrijë të tregojë potencialin e tij, sa që ka ende kohë të presë. Por, për ta kuptuar Abedin Januzajn ju duhet ta dini tregimin dhe vuajtjet e familjes së tij gjatë të kaluarës së dhunshme në Kosovë.

Derisa Abedini braktisi Kosovën, disa anëtarë të tjerë të familjes i morën armët dhe iu bashkuan luftës çlirimtare kundër serbëve. Por, lidhja mes tyre mbetet e fuqishme, pasi kushërinjtë tregojnë se ylli i ri vazhdimisht e viziton qytetin e Istogut.

Çdo verë, i riu, që flet rrjedhën gjuhën shqipe kalon disa javë në shtëpinë e familjes së tij, në një hapësirë që mban emrin e familjes Januzaj. Në këtë kohë të paqes, Januzaj mund të luajë futboll me axhët dhe kushërinjtë e tij. Por, këta kushërinj tregojnë për vuajtjet e familjes gjatë luftës anti-shqiptare, në Kosovë.

Më i madhi nga gjashtë fëmijët, Abedini ishte pritur të jetë figura kryesore e familjes pasi babai i tij Idrizi, punëtor në një fabrikë të tekstilit, ishte sëmurë nga kanceri. Por, i përballur me rrezikun e bashkimit në ushtrinë e Jugosllavisë në luftë kundër Bosnjës, Abedini shkoi në Belgjikë më 1992.

Deri atëherë, axha i Abedinit, Januzi, kishte kaluar 15 vjet në burg për pjesëmarrje në protestat për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.  Më vonë, vëllai i tij më i ri, Shemsedini, iu bashkua Januzit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në deklaratat e tij për Sportsmail, Shemsedini tha: “Nga vitet e 80-ta, deri më sot ne kemi vuajtur si familje. Ne jemi persekutuar nga sistemi serb. Isha luftëtar në UÇK, ku ishte edhe gruaja ime. Ne luftuam së bashku në të njëjtën brigadë. Njëri prej shokëve më të mirë u vra, ai shkeli në minë. Isha 18-vjeç kur iu bashkova UÇK-së. Luftova nga janari 1998 deri në qershor 1999. Nuk mund të duroja më shkeljet, dhunimin e grave dhe dhunën. Ishte koha për të vdekur duke luftuar për vendin tim. Nuk kisha frikë sepse e dija se ajo që po bëja ishte e drejtë. Ka ende njerëz të humbur, nuk e dimë se qka ndodhi me ta gjatë luftës”.

Më 1 prill 1999, forcat serbe sulmuan Istogun, duke vrarë civilë, rrëzuar shtëpi dhe shkatërruan një xhami të vjetër. U dogjën shumë shtëpi por ajo e Januzajve shpëtoi pasi ishte më në periferi. Familja kaloi në Belgjikë ku gjyshi i Adnanit, Alija, hapi një biznes.

Në Bruksel, familja u bë pjesë e komunitetit të shqiptarëve dhe aty u takuan Abedini dhe Ganimetja. Përveq familjarëve, edhe një kolonel në policinë e Kosovës ka thënë se ka luajtur futboll me yllin e ri të Manchester Unitedit. Ai ishte 14-vjeç në atë kohë dhe ne nuk e dinim se kush ishte. Kur erdhi nuk e kuptonim pse ishte aq i mirë, ishte në gjendje të bënte gjithçka me topin”, tregoi ai.

Familja e Januzajt u hidhërua nga debati në televizionin shqiptar. Për më tepër, të martën, Adnani ua uroi të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit.

Derisa fshatarët në Istog ishin duke prerë kurban në oborret e tyre, Adnani shkroi në Facebook: “Eid Mubarak to all Muslim fans”. Lidhja e tij me familjen është po ashtu e fortë, dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës ende nuk e kanë humbur shpresën për angazhimin e tij.

“Ne nuk mund t’i ndalim ata të luajmë për ndonjë ekip tjetër”, deklaroi një zëdhënës. “Por, kemi përkrahje brenda FIFA-së, andaj është çështje e kohës derisa të marrim njohje të plotë. Pastaj shpresojmë së djemtë si Januzaj do të duan të luajnë për Kosovën”.

===========================

FOTOGALERIA

Adnan Januzaj, gjatë një turneu në shkollën Athenee Royal De Jette.

Januzaj me ekipin RWDM Brussels FC U-11, klubi i tij para Anderlechtit.

Një kushëri i Adnanit, Idriz Januzaj, 11-vjeç, i fotografuar në Istog.

Banesa në Istog ku banon axha i Adnanit, Shemsedin Januzaj.

Januzaj, tre vjet më parë me fanellë të Romës, që nga ditët shkollore dukej i destinuar për nivelin më të lartë.

 

Januzaj me bashkëlojtarët nga shkolla.

 

Januzaj nuk ka tatuazhe, vetura luksoze dhe marrëveshje me sponsorë.

 

Januzaj me ish futbollistin e Unitedit, Quinton Fortune, në ndeshjen Oklahoma – Philadelphia, të luajtur në Manchester.

 

Shemsedin Januzaj dhe gruaja e tij Lavi, pjesëtarë të UÇK-së.

 

Disa dele kalojnë para shtëpisë së familjes Januzaj, në lagjen Januzaj, në Istog.

 

Januzaj, anëtar i ekipit U-11 të RWDM Brussels.

 

Januzaj shënon golin e dytë kundër Sunderlandit.