Historia e xhamisë së feudalit Jashar Pasha (Foto/Video)

Xhamia e Jashar Pashës ka hyrë në mbrojtje të shtetit në kuadër të kompleksit të Çarshisë së vjetër ku bëjnë pjesë, Xhamia e Gurit, Shatërvani i vjetër, Ndërtesa e Divizionit dhe Sahat Kulla.

Lajme

04/02/2016 10:01

Xhamia e Jashar Pashës është objekt me arritje i arkitekturës islame. Sipas ekspertit të trashëgimisë kulturore nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, Qazim Namani, nuk ka të dhëna të sakta për ndërtimin e kësaj xhamie, raporton lajmi.net

“Megjithatë vetë stili i ndërtimit të saj, kupola, minarja dhe dekorimet e brendshme, të shtyjnë të mendohet se objekti është ndërtuar në shek. XVI, apo më herët”, deklaron Namani.

Ai shton se shkrimi i emrit të Jashar Pashës në portalin e kësaj xhamie në vitin 1835-1836, lehtë mund të kuptohet për një konservim apo rikonstruktim në këtë kohë nga ky njeri.

“Jashar Mehmet Pasha, ishte feudal i pasur dhe guvernator i Shkupit në vitin 1842. Porta origjinale e kësaj xhamie është shkatërruar për ta zgjeruar rrugën. Ndërhyrjet e mëvonshme, vërehen në kupolë, minaret dhe mure. Konservim në një pjesë të minares është bërë edhe gjatë viteve 1976-1979”, shton Namani për lajmi.net

Ai kritikon punimet e fundit për restaurimin e xhamisë nga Shoqata Jo-qeveritare turke TIKA.

Xhamia1

“Në fasadën e murit lindor dhe jugor më parë kanë figuruar simbolet e Yllit gjashtë cepësh që gjatë restaurimit janë zëvendësuar me motive tjera dekorative. Gjatë ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese duhet pasur parasysh që monumenti nuk duhet të pësoj ndryshime dhe qëllimi kryesore duhet të jetë ruajtja e origjinalitetit të monumentit kulturor dhe integritetit të tij. Në këtë rast nuk janë ruajtur vlerat autentike te monumentit sepse janë zëvendësuar simbolet e lashta astrale”, ka deklaruar Namani. /lajmi.net

Për më tepër ndiqeni videon:

YouTube player