Historia e “njeriut-mace” të Halepit: strehon dhe ushqen kafshët mes luftës së Sirisë

Në një strehim që nuk ta rrok mendja në Sirinë Veriore që ndodhet nën kontrollin e opozitës, Mohammed Alaa al-Jaleel mban butësisht një paciente-mace ndërsa sonda ultra-tingull rrotullohet në barkun e saj të mbarsur.

Fun

05/06/2018 10:19

Në këtë kohë lufte, kjo mace është një prej qindrave që kanë marrë vëmendje mjekësore në një klinikë të lëvizsshme kafshësh në Kafr Naha, një qytet që mbahet nga kryengritësit në provincën e Halepit.

“Nëse dëshiron të tregosh mëshirë për njerëzit, nis duke e treguar këtë dhimbsuri për gjithë gjërat e tjera”, thotë Jaleel, i cili drejton Santuarin e Maceve “Ernest” të quajtur kështu sipas emrit të mikut të tij të preferuar qimebutë.

43-vjeçari, i cili është rritur në qytetin e dytë më të madh të Sirisë, në Halep, ishtë shumë i dhënë pas maceve që kur ishte djalë i vogël.

Kur ishte djalë i ri në qytet, ai kalonte nga kasapët, rrugës për në shtëpi pasi dilte nga puna si elektricist, për t’u kërkuar mbetjet e mishit në mënyrë që të ushqente macet e rrugës në lagjen e tij.

Kur shpërtheu lufta në vitin 2011, ai i la mjetet e puns për t’u bërë shofer ambulance për të ndihmuar në transportin e të plagosurve, por kurrë nuk ndaloi së sjelli ushqim për miqtë e tij me katër putra.

Ndërsa lufta gjëmonte rreth tij dhe dashamirësit e maceve u larguan nga qyteti, Jaleel mbeti aty me rreth 170 mace për t’u ushqyer dhe atij i vunë edhe një nofkë: Njeriu Mace i Halepit.

Me ndihmën e donacioneve nga miqtë e tij dhe fansat e rrjeteve sociale, ai ngriti sanktuarin e parë për macet në qytet.

Por, në fund të vitit 2016, regjimi intensifikoi bombardimet vdekjeprurëse në lagjet e kontrolluara nga opozita në Halep ndërsa kërkonte të merrte kontrollin e të gjithë qytetit.

“Ne nisëm të largoheshim nga njëra lagje në tjetrën, deri në fund, kur u arratisëm fare nga qyteti”, kujton Jaleel.

I vendosur të mos i linte macet pas vetes, ai dhe mbështetësit e tjerë të tyre arritën të shpëtojnë 22 nga macet e strehës. “Ne i dhamë secilës familje dy mace në një kosh plastik perimesh”, thotë Jaleel.

Mes këtyre maceve ishte Sukhoi, që e ka marrë emrin sipas avionëve luftarakë të aleates së regjimit, Rusisë. “Ai merrte vrull dhe rrëmbente ushqim pikërisht nën hundën e maceve të tjera, tamam si një avion Sukhoi”, thotë Jaleel për agjencinë franceze të lajmeve “France-Presse”.

Lufta në Siri ka vrarë më shumë se 350 mijë njerëz dhe ka zhvendosur më shumë se gjysmën e popullsisë së para konfliktit, sikundër edhe shumë prej kafshëve shtëpiake.

Pasi u largua nga Halepi, Jaleel ngriti strehën e tij të dytë, – me emrin e e Ernestos – në fillim të vitit 2017 dhe strehoi 18 nga 22 macet e nxjerra nga qyteti, në këtë oaz për kafshët.

“Macet nuk qëndrojnë thjesht vetëm në një shtëpi. Ato ndërrohen me njëra-tjetrën dhe flenë në të gjitha”, thotë Jaleel, duke iu referuar kubave të mermerit në madhësinë e maces që shërbejnë si hyrje, mbi të cilat janë gdhendur emra si Pouncer apo Rose.

Aty pranë, një makineri grirëse nxjerr shirita mishi ngjyrë rozë të fortë që më pas merret dhe vendoset nëpër pjata të shpërndara në tokë për kohën e drekës.

Me sytë e mbyllur, një mace me një gëzof me vija, ngjyrë hiri zhyt hundën e saj të bardhë si bora në pjatë, duke u përtypur ngadalë.

Por, streha, e financuar nga fushatat online, bën më shumë sesa mundësimin e dy vakteve ushqimore: po ashtu, shërben edhe si klinikë për kafshët me veterinerët e vet “shtëpiakë”.

“Ne trajtojmë të gjitha llojet e kafshëve këtu, falas: kuaj, lopë, e madje edhe pula”, thotë Jaleel.

Gjatë një inventarizimi në janar, ai dhe kolegët e tij zbuluan se kishin dhënë 7 mijë receta mjekësore falas në më pak se një vit.

Veprim i bukur

Mohammad Watar u habit kur solli macen e tij për trajtim pas një helmimi ushqimor. “Nuk ka veterinerë aty ku unë jetoj. Pyeta njerëzit dhe ata më treguan për sanktuarin”, thotë ai.

“U habita shumë kur pashë se këto lloj gjërash ekzistonin gjatë kësaj lufte që po jetojmë të gjithë”, thotë Watar. “Pashë se ata trajtonin të gjitha llojet e kafshëve. Është vërtet bukur”.

Megjithatë, lufta nuk është kurrë larg: ndërtesa kryesore e sanktuarit mban shenjat e armëve të zjarrit.

Muajin e kaluar, ata anuluan një festë për fëmijët pasi një djalë u qëlluan në afërsi të strehës, sipas faqes së Facebook-ut që funksionin në anglisht. Imazhet e postuara online tregonin një burrë me bluzën e stampuar me stemën e strehës që mbante një fëmijë të cilit i rridhte gjaku nga kofsha.

Edhe macet e strehimit janë trajtuar për plagë lufte, thotë veterineri i qendrës, Mohammed Yusuf.

“Ashtu si shumë njerëz janë plagosur nga të gjitha llojet e armëve në zonë, edhe kafshët kanë pësuar të njëjtat lëndime”, thotë ai për AFP-në. Disa qëndrojnë nën vëzhgimin e tij në klinikë për javë me radhë, por jo të gjitha kafshët marrin trajtimin për të cilin kanë nevojë.

Në një kohë vdekjeje dhe shkatërrimi, krenaria e sanktuarit është aftësia për të realizuar kontrolle me ultra-tinguj për macet-nëna të ardhshme. “Ne i vizitojmë dhe diagnostikojmë sesa fetuse ndodhen në bark dhe kur do të lindin, dhe ne përgatitemi për të pritur krijesat e reja”, thotë Yusuf.