Hiquni Sirisë

Myftiu Naim Tërnava është shprehur se në Siri po bëhet “luftë personale” të palëve të përfshira dhe kosovarët duhet të rrijnë jashtë saj. Sipas tij, shkuarja dhe vdekja në Siri nuk i bën “dëshmorë” e as “shehidë” kosovarët.

Lajme

06/12/2013 20:09

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, u ka bërë thirrje të rinjve kosovarë që të mos bëhen pjesë e luftës civile gati trevjeçare në Siri.

Në një deklaratë për RTK, drejtuesi i komunitetit mysliman në Kosovë është shprehur se në Siri po bëhet “luftë personale” të palëve të përfshira dhe kosovarët duhet të rrijnë jashtë saj.

Komentet e Tërnavës kanë ardhur në kohën kur ka raporte për rekrutime të disa kosovarëve për të marrë pjesë në luftën e Sirisë, kundër regjimit të diktatorit Bashar al-Assad.

Sipas Tërnavës, shkuarja dhe vdekja në Siri nuk i bën  “dëshmorë” e as “shehidë” kosovarët.

“Nuk është Siria vend ku ai që vdes merr shkallën e shehidit apo dëshmorit”.

“Kjo pasi, që të gjitha palët që janë të përfshira në këtë luftë kanë interesa personale të ndryshme dhe lufta po bëhet mes anëtarëve të vetëm një besimi”.

“Shkuarja në Siri në këtë rast nuk përkon me normat islame, andaj ftoj të gjithë ata që gjenden atje të kthehen dhe asnjë nga Kosova të mos ia mësyjë shkuarjes në Siri”.

“Të shtyrë nga motive të ndryshme apo nga motivi se me shkuarjen atje ai do të fitojë kënaqësinë e Zotit, le ta dinë se kjo nuk është e vërtetë”.

“Unë i ftoj të qëndrojnë në Kosovë, pasi që kemi shumë punë për të bërë në vendin tonë, e jo të shkojmë të humbasim jetën nëpër shkretëtira të ndryshme, në këtë rast në Siri”, ka theksuar Naim Tërnava.