Hiper-vetura e Ferrarit me mbi 1000 kuaj fuqi, rival i Aston Martin Valkyrie (Foto)

Aston Martin Valkyrie padyshim do të jetë një veturë shumë mbresëlënëse, por shumica mendojnë kjo kompani do të konkurrojë McLarenin dhe Ferrarin.

Auto & Tek

25/07/2017 17:27

Tashmë dihet që Valkyrie do të ketë më shumë se 1000 kuajfuqi dhe se do të peshojë 1029 kilogramë, si dhe se do të jetë legal për shumicën e rrugëve publike, transmeton Koha.net. Fansat e veturave presin me padurim edhe ardhjen e rivalëve nga McLaren dhe Ferrari.

Ndërkohë, dizajneri Alex Imnadze Baldini ka shpalosur idenë e tij se si do të duket modeli i Ferrarit, i cili do të rivalizonte “bishën” e Aston Martinit.

Dizajneri, këtë projekt e ka emëruar Concept P3/Scuderia Baldini dhe hiper-vetura e tij është frymëzuar nga modeli legjendar Ferrari P3, i cili ka garuar në fund të viteve 60-ta dhe në fillim të viteve 70-ta. Natyrisht, Baldini është përkujdesur për dizajnin futuristik.

Pjesa e përparme disi ngjan në modelin origjinal P3, por, dritat e holla LED dhe kabina e mbyllur me xhama të errët këtij modeli i japin një pamje moderne. Karroceria është aerodinamike dhe rrotat kanë një pamje “agresive”. Ndërkaq, në pjesën e pasme gjenden dy difuzerë “agresivë”, si dhe një palë drita të pasme të “frikshme”.

Për një hiper-veturë të tillë, Ferrari do të duhej ta bënte me sistemin e tërheqjes hibride dhe do të kishte më shumë se 1000 kuajfuqi.

Për momentin, Ferrari nuk ka ndonjë plan për një hiper-veturë të tillë, porse çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nuk dihet. /Lajmi.net/