Higuain s’ka marrëveshje me Barcelonën

Napoli ka mohuar se sulmuesi Gonzalo Higuain mund t’i bashkohet Barcelonës, gjatë këtij afati kalimtar të verës. Klubi italian përshkroi njoftimet si të “pabaza”.

Sport

16/06/2014 17:32

E përditshmja sportive spanjolle “Marca” publikoi sot në mëngjes lajmin bombastik se sulmuesi Gonzalo Higuain është shumë pranë transferimit në Barcelonë.

Mirëpo, nuk shkoi gjatë dhe Napoli përjashtoi njoftimet duke insistuar se sulmuesi argjentinas nuk ka kurrfarë lloj marrëveshje për transferim në gjigantin katalan.

“Njoftimet e mediave se Gonzalo Higuain mund të transferohet në Barcelonë janë të pabaza”, thuhej në postimin e publikuar në profilin zyrtar të Napolit në rrjetin social Twitter.

Higuain është një prej futbollistëve të kërkuar nga gjiganti katalan, gjatë këtij afati kalimtar i verës. Ai erdhi në Napoli në verën e vitit të kaluar nga Real Madrid, dhe u ambientua mjaft mirë në Serie A.