Higuain – Icardi, ‘bombë’ nga Italia!

Gonzalo Higuain dhe Mauro Icardi mund t'i shkëmbejnë ekipet, gjatë afatit kalimtar të verës.

Sport

29/05/2018 10:36

“Ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron”. Një fjalë e urtë që i shkon përshtat Juventusit që për të vazhduar dominimin në Serinë A italiane që zgjat prej 7 vitesh, kërkon të dobësojë skuadrat rivale duke u marrë lojtarët e tyre më të mirë.

Pas Higuain dhe Pjanic të cilët i mori nga Napoli e Roma, bardhezinjtë tashmë kërkojnë të “zhvatin” Interin, pasi duke iu referuar asaj që shkruan gazeta italiane Corriere della Sera, drejtori i përgjithshëm i kampionëve të Italisë Beppe Marotta ka vendosur në shenjestër kapitenin e zikaltërve Mauro Icardi.

Kryegolashënuesi i Serisë A në sezonin e fundit(çmim që Icardi e ndau me Immobilen), pëlqehet shumë nga drejtuesit e Juventusit të cilët po shqyrtojnë mundësinë për të blerë kartonin e Mauritos nga Interi.

Icardi ende nuk ka rinovuar kontratën e tij me klubin milanez dhe duke marrë në konsideratë edhe deklaratat e fundit të trajnerit Spalletti, shanset që argjentinasi të largohet nga Interi në këtë merkato janë të mëdha.

Nga 1 korriku deri në datën 20 të këtij muaji për Icardin hyn në fuqi klauzola e largimit prej 110 milionë eurosh e cila gjithsesi vlen vetëm për klubet jashtë Italisë. Drejtuesit e Juves i kanë kërkuar një studioje ligjore të analizojë klauzolën e sulmuesit argjentinas me Interin ndërkohë që sipas Corriere della Serras, zikaltrit janë të gatshëm të dëgjojnë ofertën e klubit bardhezi.

Juventusi 110 milionë euro për Icardin nuk është i gatshëm ti ofrojë gjithsesi pasi kërkon të përfshijë në marrëveshje kartonin e Gonzalo Higuain. Juventusi mendon për të tashmen por edhe për të ardhmen dhe  për çështje moshe bardhezinjtë janë gati ta largojnë El Pipitan i cili në dhjetor mbush 31 vjeç dhe t’i hapin dyert kapitenit të Interit i cili është 5 vite më i ri se bashkëkombasi i tij, transmeton “SS”.

50 milionë euro plus kartonin e Higuain mund të jetë oferta e Juves për zikaltrit, pasi bardhezinjtë e vlerësojnë 60 milionë euro kartonin e Higuain të cilin e blenë nga Napoli 2 vite më parë për diçka më shumë se 90 milionë euro. Ofertë që gjithsesi vështirë se do të pranohet  nga Piero Ausilio.