Hidhet në qarkullim 5,000 lekëshi i ri

Nga dita e sotme, në Shqipëri ka dalë në qarkullim kartëmonedha e re shqiptare me vlerë nominale 5,000 lekë, emetim i vitit 2013, por Banka Qendrore e Shqipërisë njofton se mbetet në qarkullim dhe është e vlefshme edhe kartëmonedha me po këtë vlerë nominale, e emetuar në vitet e mëparshme. 

Lajme

09/07/2014 21:42

Sipas Bankës së Shqipërisë, rishtypja e kartëmonedhave është miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kartëmonedha e re ka të njëjtën pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 5,000 lekë, emetim i vitit 2007.

Ndryshimet në emetimin e fundit qëndrojnë në: a) trashësinë e fillit të sigurisë, i cili bëhet nga 1.5 mm, në 3 mm; b) në vitin e emetimit në trupin e kartëmonedhës, që do të jetë “2013” dhe c) në firmën e drejtorit të Departamentit të Emisionit.

Banka qendrore thekson se duke filluar nga data 9 korrik 2014, kartëmonedhat me vlerë nominale 5,000 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2013, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerje, të emisioneve të mëparshme.