Hidhërohet Dacic, ndërpren bisedimet me Thaçin

Ivica Dacic ka vendosur që t’i ndërpresë bisedimet me Hashim Thaçin në Bruksel, si shenjë hakmarrjeje ndaj refuzimit të lejes për ta vizituar Kosovën në fillim të fushatës. Hajredin Kuçi thotë për lajmi.net se është gabim kush mendon t'i ndëpresë bisedimet.

Lajme

02/10/2013 15:54

(E Plotësuar)

Ivica Dacic ka vendosur që t’i ndërpresë bisedimet me Hashim Thaçin në Bruksel, si shenjë hakmarrjeje ndaj refuzimit të lejes për ta vizituar Kosovën në fillim të fushatës zgjedhore.

Siç raporton gazeta beogradase Politika, përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë kanë thënë se ky refuzim paraqet shkelje brutale të marrëveshjes së Brukselit dhe nesër, me anë të një letre, Dacic do ta informojë Shefen e BE’së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, për zhvillimet e fundit.

“E kam paralajmëruar Brukselin dhe Ambasadorët e QUINT’it se vendimi i Qeverisë në Prishtinë është skandaloz dhe paraqet goditje ndaj procesit paqësor”, ka thënë Dacic.

“Nëse unë si nënshkrues i marrëveshjes së Brukselit dhe përfaqësuesit e Qeverisë që e kanë përkrahur atë dhe kanë punuar për implementimin e saj nuk mund të shkojmë në Kosovë dhe t’u bëjmë ftesë serbëve të dalin në zgjedhjet lokale, kjo shtron pyetjen e arsyeshmërisë të pjesëmarrjes sime të mëtutjeshme në dialog.”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ndërkaq, ka thënë për lajmi.net se është gabim kush mendon t’i ndërpresë bisedimet, në Bruksel.

“Fushata elektorale është për Kosovën, e jo për Serbinë. Pas fushatës, mund të ketë vizita të karakterit ndërshtetëror. Mendoj që është gabim i madh kush mendon t’i ndërpresë bisedimet. Por, pas fushatës bisedimet mund të vazhdojnë”, ka thënë Kuçi, për lajmi.net.

 

Refuzohet Dacic

Ivica Dacic nuk do ta marrë lejen e Qeverisë së Kosovës për të qenë prezent në nisjen e fushatës zgjedhore në Shterpcë.

Kryeministri serb kishte planifikuar që këtë të premten, më 4 tetor, të qëndrojë në Shterpcë, për të marrë pjesë në fillimin e fushatës zgjedhore të Listës Serbe, e cila ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë. Bashkë me Kryeministrin serb, në fushatë ishte parparë që të marrë pjesë edhe Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin.

Por, plani i tyre duket se ka dështuar.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka konfirmuar këtë informacion për lajmi.net.

“Po, e kemi refuzuar”, ka thënë ai.

B92 ka cituar Kuçin, të ketë thënë për Agjencinë Tanjug se zyrtarët e Serbisë nuk do të lejohen të vijnë në Kosovë gjatë kohës së fushatës zgjedhore.

“Ndalimi i zyrtarëve të Serbisë në Kosovë do të zgjasë deri më 1 nëntor, kur përfundon fushata”.

Ndryshe, fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit fillon nesër. Në këto zgjedhje, do të marrin pjesë për herë të parë edhe serbët nga veriu, të cilët kanë kundërshtuar deri tash institucionet e Kosovës.

Pjesëmarrja e Kryeministrit serb është thënë se kishte për qëllim inkurajimin e serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Mbajtja e zgjedhjeve edhe në veri, me mbështetjen e Beogradit, është bërë e mundur me Marrëveshjen e 19 Prillit, të arritur në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovë, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.