HIB Petrol mohon bastisjet në pikat e tyre të karburantit

Kompania ‘Hib Petrol’ ka mohuar lajmin se është bastisur për dyshimin në kontrbandim të naftës. Lidhur me bastisjen e disa prej kompanive më të mëdha të naftës në Kosovë, nuk ka dhënë informacione Policia e Kosovës.

Lajme

11/12/2014 15:48

Kompania e derivateve ‘Hib Petrol’ ka mohuar lajmin e raportuar se pikat e kësaj kompanie janë bastisur nga Policia e Kosovës, për dyshim të kontrabandës me naftë.

Sipas një reagimi të kësaj kompanie thuhet se ‘Hib Petrol’ nuk është e dyshuar për kurrfarë kontrabande me naftë.

“Nuk ka pasur asnjë lloj bastisje, ose veprime të tjera, në pikat tona shitëse të derivateve të naftës”.

“Nuk qëndrojnë shkrimet e bazuara në burime anonime të paraqitura në disa portale se HIB Petrol është e dyshuar për kontrabanë me derivate të naftës”.

“Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se ‘HIB Petrol’ si gjithmonë vazhdon të furnizohet me produktet e derivateve të naftës nga kompanitë me të cilat ka kontrata të ligjshme afatgjata, si dhe vazhdon të garantojë cilësinë më të lartë të produkteve të ofruara në treg për qytetarët dhe institucionet”, thuhet në reagimin e ‘HIB Petrol’.

Lidhur me raportimin se ‘HIB Petrol’ dhe disa kompani  të naftës në Kosovë janë duke u hetuar dhe bastisur, nuk ka dhënë informacione as Policia e Kosovës.

Baki Kelani zëdhënës i PK-së në një prononcim për lajmi.net ka thënë se lidhur me aksionin për kontrabandim me naftë i kanë thënë të gjitha gjatë konferëncës për media të mbajtur të mërkurën.

”Gjithçka lidhur me aksionin për kontrabandim me naftë e kemi thënë dje, në konferencë për media dhe përmes komunikatës”, ka thënë Kelani.