‘HIB Petrol’: Kamioni i rrokullisur në Fushë Kosovë ishte i yni, kërkojmë falje për vonesat në rrugë

Kompania “HIB Petrol” ka njoftuar se një kamion i kësaj kompanie është rrokullisur sot në Fushë Kosovë, në hyrje të autostradës për në Ferizaj.

Lajme

19/01/2018 16:37

Sipas “HIB Petrol”, kamioni ka qenë i mbushur me derivate të plinit.

Rrokullisja e tij ka bërë që të shkaktohen dëme të konsiderueshme material, por fatmirësisht  nuk janë shkaktuar pasoja në njerëz dhe në pronat e tyre. Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i lënduar shoferi i kamionit. Ai është dërguar për trajtim mjekësor dhe për momentin është mirë. Po ashtu, janë marrë masat e duhura pas ndodhjes së këtij aksidenti”, thekson kjo kompani.

Kamioni-cisternë, në përcjellje të Policisë së Kosovës, është nisur për në bazën e derivateve në Bablak.

Kompania “HIB Petrol”, iu kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve të Kosovës për problemet që janë shkaktuar nga ky aksident, i cili ka pamundësuar për kohë të gjatë kyçjen e njerëzve në autostradë.

“Shfrytëzojmë rastin që ti falënderojmë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për reagimin e shpejtë, pas ndodhjes së aksidentit. Njësia e trafikut e Policisë së Kosovës, departamenti i emergjencave si dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë, duke qenë prezent në vendin e ngjarjes për të ndihmuar në evitimin e pasojave pas aksidentit”, thuhet në fund të komunikatës, e cila është nënshkruar nga drejtori gjeneral i kompanisë, Hysen Lajqi. /Lajmi.net/