Hetohen manipuluesit e zgjedhjeve

Prokuroria e Kosovës po heton 58 persona të dyshuar se kanë kryer vepra penale gjatë procesit zgjedhor të 3 nëntorit. Kryeprokurori i shteti Ismet Kabashi thotë se shumica e këtyre veprave kanë të bëjnë me mitëdhënie.

Lajme

25/11/2013 13:03

Prokuroria e Kosovës ka filluar hetimin e 32 rasteve kundër 58 personave, të dyshuar për kryerjen e veprave penale gjatë procesit zgjedhor.

Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, ka thënë për RKT 2 se shumica e këtyre veprave kanë të bëjnë me mitëdhënie.

“Nga ky numër, nëntë persona janë arrestuar, shtatë të tjerë janë në arrest shtëpiak, pesë prej tyre janë lëshuar pas një interviste në stacionin policor, ndërsa kundër pjesës tjetër është janë duke u zbatuar procedurat e rregullta që parashihen në bazë të ligjit”.

Kabashi ka thënë se në krahasim me zgjedhjet e kaluara, numri i të dyshuarve për manipulim në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, është shumë i vogël.

“Nëse krahasojmë këtë numër me zgjedhjet e kaluara, ku 1.500 persona janë ndjekur penalisht pasi që kishin kryer vepra penale gjatë procesit zgjedhor, atëherë mund të themi se në këto zgjedhje është arritur një përparim i madh”.

Duke folur për Veriun, Kabashi ka thënë se Kodi Penal i Kosovës vlen edhe për atë pjesë, por sipas tij, në Veri ende paraqiten problem lidhur me zbatimin e ligjit, por është optimist për një zgjidhje të shpejtë të këtyre problemeve.

“Në Bruksel janë duke u zhvilluar negociata për integrimin e Sistemit të Drejtësisë edhe në atë pjesë të Kosovë. Me presim që kjo së shpejti do të ndodhë, nëse jo deri në fund të këtij viti, atëherë presim që zbatimi i ligjit atje të filloj në fillim të vitit të ardhshëm”.