Hetohen diplomat e 84 mësuesve të lëshuara nga “Bajram Curri” i Gjakovës

Inspektorati i Arsimit është urdhëruar që deri më 22 maj 2015 të dorëzoj raportin zyrtar lidhur me diplomat e dyshuara si të falsifikuara në Gjakovë dhe t’i propozojë masat për mënjanimin e lëshimeve dhe parregullsive eventuale.

Lajme

07/05/2015 08:10

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, ka lëshuar një urdhëresë, nëpërmjet të cilës i kërkon Inspektoratit të Arsimit që të hetojë validitetin e 84 diplomave të mësimdhënësve në Gjakovë, për shkak të dyshimeve për falsifikimin e tyre.

Sipas kësaj urdhërese, të cilën e ka siguruar gazeta Zëri, deri më 22 maj duhet të përfundojë procesi i verifikimit të këtyre diplomave.

“Urdhërohet Departamenti i Inspektoratit të Arsimit që në pajtim me Ligjin nr.2014/37 për Inspektoratin e Arsimit të Kosovës, të ndërmarrë të gjitha veprimet konkrete për inspektimin special të validitetit ligjor të diplomave të mësimdhënësve të dyshuar për falsifikim, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë kundër 84 mësimdhënësve për veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve zyrtare, përkatësisht, i diplomave të falsifikuara në ish-SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë”, thuhet në pikën e parë të kësaj urdhërese.

Më pas Inspektorati obligohet që jo më larg se 22 maji i këtij viti, të dorëzojë raportin zyrtar, në të cilin konstatohet gjendja faktike.