Hetime për rekrutimet në Siri

Kanë nisur hetime për formën e rekrutimit të të rinjve kosovar në luftën në Siri. Prokuroria Speciale e Kosovës nuk jep emra të personave që janë të përfshirë në dërgimin e këtyre të rinjve.

Lajme

26/01/2014 12:09

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me grupet e mundshme që organizojnë shkuarjen e kosovarëve për të luftuar në Siri

Dosja me emrin “Siria” e cila është hapur nga Prokuroria Speciale mësohet se përmban hetime dhe informacione për persona të përfshirë në grupet që organizojnë shkuarjen e kosovarëve për të luftuar në Siri, raporton Radio Kosova.

Burime të Radio Kosovës brenda prokurorisë kanë konfirmuar se faktet e gjetura tregojnë se personave që shkojnë në Siri ja humbin të gjitha dokumentet që identifikon ata si shtetas të Kosovës.

Gjithashtu sapo ata të arrijnë një desitnacionin e caktuar, u merren numrat e kontaktit të familjarëve në Kosovë, që zakonisht kontaktohen vetëm në rast plagosjesh të rënda apo vrasjesh të tyre.

Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, i ka thënë Radio Kosovës se deri më tani nuk ka ekzistuar materie e mjaftueshme për të hapur raste ose ngritur aktakuza dhe raste të tilla nuk ka pasur në prokuroritë e rregullta.

Por, nga Prokuroria Speciale e Kosovës një shtetas kosovar tashmë po hetohet të jetë i përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhet direkt me shkuarjen për të luftuar në Siri.

Shefja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina ka shpalosur vetëm atë që përbën stadin fillestar të hetimit.

“Tani për tani unë mund të iu konfirmoj se në Prokurorinë Speciale të Kosovës është i hapur një rast kundër një personi dhe ky rast ndodhet në fazën e veprimeve fillestare. Asgjë më tepër nuk mund të iu konfirmoj për shkak të ruajtjes së fshehtësisë së hetimeve”, i ka thënë Morina Radio Kosovës.

Morina nuk ka dhënë detaje të tjera për kategorinë e veprave për të cilat dyshohet ky shtetas kosovar.

Policia, sipas zëdhënësit Baki Kelani, gjithashtu ka intensifikuar hetimin e këtyre rasteve. Kelani ka njoftuar për dëshmi të mbledhura dhe intervistime të disa personave.

Sidoqoftë përkundër informatave të Agjencisë së Inteligjencës dhe rasteve të regjistruara nga policia, Prokuroria e Shtetit konsideron se është e vështirë të ndiqen shumica e të përfshirëve në konfliktin në Siri.

Veprimet e tilla në shumicën e rasteve, sipas legjislacionit kosovar nuk është gjetur se bien ndesh në mënyrë të plotë me ligjet e vendit, konventat dhe normat ndërkombëtare.

Aktualisht në ekzekutivin dhe legjislativin e vendit po diskutohet çështja e ligjit që u heq shtetësinë e kosovarëve që luftojnë në Siri, e që sipas të dhënave të besueshme brenda hetuesisë aktualisht janë rreth 40 persona.