Hetim për njehsorët që “vjedhin” konsumatorët

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) po hetohet nga Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës, lidhur me licencimin e njehsorëve që kanë regjistruar energji elektrike pa ngarkesë, duke dëmtuar kështu konsumatorët.

Lajme

07/04/2014 10:38

Sipas gazetës “Zëri”, drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, Blerim Sokoli, para pak kohësh ka licencuar njehsorë elektrik digjital të tipit “Kohler”, e të cilët në vazhdimësi kanë regjistruar energji elektrike pa ngarkesë, duke dëmtuar kështu qytetarët e Kosovës.

Në bazë të nenit 31 të udhëzimit administrativ 2006/22, njësori elektrik nuk lejohet të japë impulse dalëse, përkatësisht nuk lejohet të regjistrojë energjinë kur janë të hapura qarqet e rrymës (gjendja pa ngarkesë).

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se para pak kohësh policia ka nisur hetimet brenda Agjencisë, për këtë çështje, ku dhe ka intervistuar drejtorin Sokoli.

“Për këtë çështje janë caktuar dy hetues, si dhe është caktuar prokurori. Hetimet janë duke vazhduar dhe aktualisht nuk mund të themi më tepër, për të mos dëmtuar hetimet e mëtutjeshme”, ka thënë burimi i “Zërit”.

Skandalin me lëshimin e njehsorëve që kanë regjistruar energji elektrike pa ngarkesë dhe me nga tre-katër tarifa aktive, e ka konfirmuar edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, edhe pse sipas saj nuk ka hapësirë për alarm.