Hetim për incidentet në Veri

Baronesha Ashton i cilëson zgjedhjet si vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Kërkon hetim pa vonesa të incidenteve në Veri. Po ashtu, konfirmon se nesër do t'i presë Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, për një rreth të ri bisedimesh.

Lajme

05/11/2013 12:54

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, ka përgëzuar votuesit kosovarë për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, të cilat i ka cilësuar si vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

Ajo, po ashtu, ka falënderuar misionin OSBE’së për lehtësimin e zgjedhjeve në Veri të Kosovës, si dhe misionin vëzhgues të Bashkimit Europian.

Ashton, në të njëjtën kohë, siç raporton RFE, ka dënuar incidentet e dhunshme në vendvotimet në veri të Mitrovicës.

“Të gjithë votuesit kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, në një ambient të sigurt dhe pa dhunë. Incidentet duhet të hetohen pa vonesa”.

Kryediplomatja europiane, po ashtu, ka konfirmuar se të mërkurën, më 6 nëntor, do të presë Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, për një rreth të ri bisedimesh.

“Do të diskutojmë hapat e ardhshëm në procesin zgjedhor, si dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Prillit”.