Hetim ndaj Rusisë? Shtëpia e Bardhë hedh poshtë thirrjet e demokratëve

Ndërsa Presidenti Donald Trump përgatitet për fjalimin e tij të pare para Kongresit amerikan, Shtëpia e Bardhë u përpoq të dielën që të zmbrapste thirrjet më të fundit për një hetim të pavarur të përpjekjeve ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit që kaloi dhe të çdo lidhjeje të mundshme mes Moskës dhe rrethit të afërt të Presidentit.

Bota

27/02/2017 09:57

“Ne jemi jashtëzakonisht të bindur që çfarëdo analize të bëhet, të gjithë do të arrijnë në të njëjtin përfundim: se ne nuk kishim asnjë rol në ndërhyrjen ruse”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders në emisionin “This Week” të televizionit ABC.

Të premten, kongresmeni republikan nga Kalifornia, iu bashkua demokratëve në thirrjen për një prokuror të posaçëm që të mos jetë i ekspozuar ndaj ndikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, një njeri i besuar Presidentit Trump.

“Sessions, mori pjesë në fushatë dhe është i emëruari i tij. Duhet të përdoret statuti i një prokurori të posaçëm dhe jo vetëm të përjashtohet Sessions nga mundësia e hetimit, por që të mos mund t’ia japë këtë rol as zëvendësit të tij”, tha zoti Issa në emisionin “Real Time with Bill Maher” të televizionit HBO.