Heshtje zgjedhore para raundit të dytë

Në Kosovë ka nisur heshtja zgjedhore, për rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave që do të zhvillohen më 19 nëntor.

Lajme

18/11/2017 09:53

Zyrtarët e KQZ-së kanë theksuar se më 19 nëntor, do të jenë të hapura gjithsej 1 mijë e 777 vendvotime, në 614 qendra të votimit nga 899, sa kanë qenë në raundin e parë, më 22 tetor.

Në këtë rreth zgjedhjesh të drejtë vote kanë 1 milion e 353 mijë e 613 votues.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në 9, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5 komuna, kurse Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën dhe Alternativa nga një komunë.

Kurse, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 22 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës, një komunë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel vendi ka arritur të fitojë në 2 komuna.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë në rrethin e parë në asnjë komunë, sikurse Aleanca Kosova e Re, NISMA dhe Alternativa.

Kurse, Lista Serbe ka fituar 9 komuna./REL