Heshtje në çadër, të rinjtë e LRI-së festojnë zgjedhjen e Metës president

Në kohën kur në Kuvend zgjidhej presidenti i ri i vendit, në çadrën e opozitës protestuesit ishin indiferentë.

Lajme

28/04/2017 23:45

Pjesa më e madhe vijonin bisedat dhe lojërat e zakonshme, siç ndodh sa herë në çadër nuk ka takime dhe fjalime politike nga Basha apo të ftuar të tjerë. Vetëm një grup i vogël ndiqnin në një nga ekranet brenda çadrës, fjalimin që po mbante Presidenti i sapozgjedhur Ilir Meta.

Por vetëm pak metra më larg, në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, atmosfera ishte tërësisht ndryshe. Qindra të rinj ishin mbledhur për të festuar zgjedhjen e Ilir Metës në krye të shtetit.

Atmosfera kulmoi në momentin kur në seli mbërriti Meta. Por edhe në këtë rast, Presidenti i zgjedhur, siç është kthyer tashmë në vokacionin e tij, kërkoi qetësi.

“I ftoj të gjithë të jenë të qetë dhe të mos prishin qetësinë publike. Aq më tepër që nuk ka ndonjë arsye për të festuar, kur kemi edhe qytetarë të tjerë që janë diku tjetër, aty ku normalisht nuk duhet të jenë. Është e rëndësishme të jemi shumë të qetë”, deklaroi presidenti i zgjedhur Meta.

E në fund, Meta mes batutash ngriti pyetjen se për kë po festonin të rinjtë e LRI-së.

“Kam frikë se mos po brohorasin për Petrit Vasilin më shumë, sesa për mua”, deklaroi Meta.