Hesapet e shtetit të Kosovës

Shteti i Kosovës duhet të bëhet një ‘ndërmarrje’ profitabile politike dhe ekonomike. Për të arritur në këtë nivel, duhet bërë llogaritë si duhet.

Opinion

15/04/2015 14:07

Rrallëherë, për të mos thënë kurrë, në politikën dhe shoqërinë kosovare kemi gatishmëri për t’i bërë disa llogari të cilat, ndryshe, i bëjmë ne në familjet tona, thuaja përditë, për të kuptuar se ‘si i kemi punët’ secili prej nesh, dhe çka duhet bërë tash e tutje për ta përmirësuar gjendjen e familjes sonë.

Nëse këtu provojmë të ushtrojmë për pak kohë bërjen e këtyre llogarive, do të mund të marrim vesh, ta zëmë, që kot së koti mendojmë që akoma kemi, si Kosovë, në ‘konton’ tonë politike dhe diplomatike historinë tragjike të viteve 1998, 1999, e cila pati si epilog çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit të Kosovës.

Sidoqoftë, ne akoma përqafojmë qasjen, sipas të cilës, këndejpari akoma është në fuqi skema e pranverës së vitit 1999, e cila bëri Kosovën qendër të politikës rajonale dhe ndërkombëtare. Ndërsa rajoni, Evropa dhe Bota e pranverës së vitit 2015, nuk kanë gjë të përbashkët me atë të vitit 1999.

Trashëgimia e asaj periudhe është përmbyllë me 17 shkurt, 2008. Prej asaj dite, objektivisht, nuk na bënë gjë punë historia e mëparme. Nuk mund të ecet tutje, as në sigurimin e qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës, as në procesin e integrimit në BE, duke llogaritë në vlerën e krijuar në vitet e luftës, apo edhe më parë, sepse ajo vlerë është shfrytëzuar dhe arkivuar tashmë.

Së dyti, në Kosovën e ditëve të sotme, assesi nuk bën të llogaritet që qytetarët e rëndomtë të Kosovës, kanë po atë vullnet, atë besim dhe shpresë, atë durim, që e kanë pasur në vitet e luftës, apo edhe në atë periudhën para bërjes së shtetit të Kosovës. Edhe këtu, ‘kontoja’ imagjinare politike e Kosovës, i afrohet fare pranë zeros.

Qytetarët e Kosovës, gjë që u kumtua edhe në trajtë të një largimi masiv (disa dhjetëra mijë) të dimrit të kaluar, nuk kanë pse të merren me historinë, as me ngjarjet dhe arritjet që mund të ndodhin në të ardhmen: Ata e duan të tashmen. Duan të shohin fare konkretisht që jeta e tyre po ndryshon për të mirë. Ata nuk duan të jenë të respektuar vetëm si votues, një herë në disa vjet, por duan të vërejnë që shteti i Kosovës po ndryshon duke marrë parasysh shqetësimet dhe interesimet e tyre.

Së treti, edhe pse të gjithë ne bëjmë be në ekonominë e tregut  (të mbikëqyrur, gjë që është model evropian i ekonomisë së tregut), akoma mendojmë që askush nuk duhet të pësojë për shkak të konkurrencës së lirë, megjithëse demokracia sociale  (evropiane), gjithsesi ka parasysh që shtresat më të goditura të shoqërisë duhet ta sigurojnë mbijetesën. Për më shumë, ka shumë shembuj, për të cilët kësaj here nuk do të flitet, kur mendojmë që shteti i Kosovës na ka borxh për të gjitha të këqijat që na i ka shkaktuar shteti i Serbisë gjatë okupimit.

Pastaj, në bërjen e këtyre llogarive, këtu duhet shtuar disa vlera që aktualisht i kemi në ‘konton’ e Kosovës, e të cilat gjithsesi janë kalimtare, apo, nuk mund të planifikojmë të ardhmen e këtij vendi, duke u bazuar në to, megjithëse aktualisht, në aspektin ekonomik dhe social, shteti i Kosovës po qëndron në këmbë falë këtyre të hyrave në buxhetin e Kosovës.

Së pari, këtu duhet përmendë temën e remitancave. Zyrtarisht, për çdo vit, mbi 600 milionë Euro hynë në Kosovë, nga Perëndimi, nga familjarët tonë. Së paku një çereku i popullsisë së Kosovës varet drejtpërdrejtë nga këto para që vijnë nga jashtë. Supozohet që edhe së paku kaq para  (600 milionë Euro), vijnë në Kosovë, apo harxhohen këtupari, gjatë pushimeve verore prej kosovarëve që jetojnë jashtë.

Këto para të dërguara dhe të harxhuara, ndikojnë tek të gjithë ne, këtupari. Matematika e thjeshtë na thotë që mesatarisht, mbi tre milionë Euro hynë për çdo ditë në Kosovë nga familjet tona. Këto të hyra, janë tre çereku i Buxhetit të Kosovës. Për krahasim.

Këtu duhet shtuar që jo më larg se 5-10 vjet prej tash, për shkaqet të cilat i dimë të gjithë ne, këto para një herë do të përgjysmohen, për tu ndalë fare pas një decenie.

Së dyti, organizimi i mbledhjes së Buxhetit të Kosovës, me gati 70%-shin në pikat kufitare të vendit, poashtu ka afat përdorimi të kufizuar, njëlloj 5-10 vjet prej tash. Do të duhet ndryshojë, thelbësisht, mënyra se si shteti i Kosovës mbushë konton e vet.

Së treti, shteti i Kosovës nuk do të mund të jetë më punëdhënësi më i madh në vend  (në sektorin publik), apo, vitet e ardhshme do të duhej të veçoheshin me një ndryshim rrënjësor të orientimit kah favorizimi i sektorit privat dhe kah sigurimi i investimeve nga jashtë, nëse njëmend duam të kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, pa të cilin nuk ka stabilitet social dhe poashtu, nuk ka qëndrueshmëri politike të shtetit të Kosovës.

Shteti i Kosovës duhet të bëhet një ‘ndërmarrje’ profitabile politike dhe ekonomike. Për të mbërritë në këtë nivel, duhet bërë llogaritë si duhet.

 (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)