Heronjtë tanë, askush nuk ka mundur t’i ndalë deri në vijën e parë të luftës, deri në flijimin e tyre për atdhe!

Organizuar nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj sot u mbajt Akademia Përkujtimore - Dita e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”- Dita e rënies së Heroit Agim Ramadani, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2018”.

Lajme

11/04/2018 14:25

“Sinonimi, unifikimi i tyre, gjendet në emrat që janë këtu dhe që nuk janë të vetmit” kështu, tha kryeministri Haradinaj, në hyrje të fjalës së tij duke kujtuar heronjtë, Agim Ramadanin, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj e shumë të tjerë dhe duke shtuar se krenaria jonë e nderimit për të rënët për liri gjendet kudo, në shumë ngjarje dhe shumë beteja, por na bënë nder se sa unike dhe se sa e veçantë është në Koshare.

“Janë luftëtarët më të zotë shqiptarë, të të gjitha trojeve shqiptare, por edhe të huaj që janë dëshmorë. Ka njerëz që kanë pasur shërbim të gjatë jetësor në shërbim të atdheut”, është shprehur kryeministri Haradibnaj, duke theksuar faktin se këta njerëz kanë kaluar edhe nëpër burgje, persekutimet dhe përndjekje.

Më tutje, kryeministri Haradinaj, duke përmendur faktin se këta njerëz i kanë mbijetuar përçarjeve e pengesave, tha se askush nuk ka mundur t’i ndalë deri në vijën e parë të luftës, deri në flijimin e tyre për atdhe.

“Sot ne mund t’i kujtojmë me pietet edhe mendimtarët e zotë, por veçanërisht të mburremi me figurat kaq unike të heronjve tanë, të gjithë dëshmorëve të Brigadës 138 Agim Ramadani, dhe t’i falënderojmë luftëtarët e gjallë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Me nga një fjalë para të pranishmëve, folën edhe presidenti Hashim Thaçi, deputeti Anton Çuni, në emër të Brigadës 138 Agim Ramadani, ndërsa anë emër të familjarëve, të pranishmit i falënderoi Lorina Ramadani, vajza e heroit Agim Ramadani

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:

I nderuar Gjeneral Berisha, komandant i Brigadës 138,

Të nderuar bashkëluftëtarë të gjallë të kësaj Brigade,

Familjarë të dëshmorëve e të heronjve,

Të gjithë ju prezent,

I nderuar President i vendit, shkëlqesia juaj, z. Hashim Thaçi,

Ministra, deputetë, ambasadorë të nderuar,

Krenaria jonë e kujtimit dhe e nderimit për të rënët për liri gjendet kudo, në shumë ngjarje e në shumë beteja, por na bënë nder se sa unike dhe sa e veçantë është në Koshare.

Janë luftëtarët më të zotë të të gjitha trojeve shqiptare dhe ka edhe dëshmorë të huaj. Janë njerëz që kanë pas një rrugë të gjatë jetësore në shërbim të atdheut, janë njerëz që kanë kaluar edhe burgjet, edhe persekutimet, edhe përndjekjet, edhe etiketimet, por s’kanë heq dorë nga dashuria ndaj atdheut.

Janë njerëz që i kanë rezistuar edhe përçarjeve, edhe thyerjeve dhe të gjitha pengesave dhe askush s’ka mundur me i ndal deri në vijën e parë të luftës, deri në flijimin e tyre për atdhe.

Këta njerëz i gjejmë si sinonim, i gjejmë të unifikuar, pikërisht në tre emra që i shohim këtu, e që nuk janë të vetmit, por vërtetë janë unikë, e që janë Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahu, dhe plotë të tjerë.

Andaj, shqiptarët kanë të drejtë me qenë krenarë. Shqiptarët kanë të drejtë me ndje këtë krenari të flijimit për atdhe, jo vetëm pse kemi luftëtarë kaq unikë, në të njëjtën kohë dhe intelektual, piktor, prind, por edhe për diçka tjetër sepse këta brumosjen për liri nuk e kishin të lehtë, këta gjithë kohën ishin në presion të asimilimit, gjithë kohën në presion të ideve se sa e mirë është Jugosllavia, gjithë kohën me brumosje se nuk duhet kurrqysh me përkrahë ide e procese nga cilat do të na vinte një ditë liria. Fjala që është thënë shumë herë “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, kjo fjalë i ka mujt të gjitha, kjo fjalë i ka bërë bashkë të gjithë.

Fatmirësisht ne sot mund të themi dhe t’i kujtojmë me pietet edhe mendimtarët e zot, edhe luftëtarët, por veçanërisht të mburremi me figurat kaq unike të heronjve tanë, të Agim Ramadanit, përvjetorin e rënies heroike të të cilit sot e kujtojmë dhe gjithë dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe t’iu themi një faleminderit të madh bashkëluftëtarëve të gjallë,  familjeve të dëshmorëve e të bashkëluftëtarëve.

Lavdi dëshmorëve që i kujtojmë sot.