Helmut Kohl – burrë i shquar shteti

Si "kancelar i ribashkimit", Helmut Kohl-i ka kohë që vlerësohet. Vendin në librat e historisë ai e ka të sigurt. Ish-kryetari i CDU-së mbushi 85 vjeç.

Bota

03/04/2015 15:58

Ish-kancelarin dhe kryetarin e CDU-së, Helmut Kohl e vlerësuan lart në 85 vjetorin e tij për meritat në ribashkimin e Gjermanisë dhe integrimin evropian.

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, në telegramin e urimit dërguar Helmut Kohl-it, shkruan se për të si dhe për pjesën më të madhe të bashkëatdhetarëve gjermanë në Lindje dhe në Perëndim, ka rëndësi të jashtëzakonshme “që ju nuk u pajtuat kurrë me ndarjen e vendit tonë”.

Gauck e siguroi Kohl-in se “Gjermania nuk do të harrojë kurrë, që në kohën e duhur vendosët dhe përfunduat veprimin e duhur për Gjermaninë”.

Helmut Kohl feston ditëlindjen e 85-të
Helmut Kohl feston ditëlindjen e 85-të

Bashkimi Evropian dhe bashkimi i Gjermanisë janë edhe vepra e Helmut Kohl-it, vlerësoi kancelarja Angela Merkel në një shkrim për gazetën “Bild”. Megjithëse raporti i saj me Helmut Kohl-in konsiderohet i acaruar, kancelarja e çmoi me notat më të larta kontributin e Kohl-it për ribashkimin.

“Ai e arriti këtë, sepse si askush tjetër kishte krijuar për vite të tëra besim, nga Uashingtoni në Paris, Londër dhe Bruksel deri në Moskë. Ky kancelar i besimit ishte për ne gjermanët një fat”.

Kancelarja Angela Merkel, me origjinë nga Gjermania Lindore i bëri hapat e parë në politikën federale si ministre në qeverinë e Helmut Kohl-it. Vëzhgues të ndryshëm konstatojnë se stili i saj i qeverisjes, me kalimin e kohës i përngjet gjithnjë e më shumë stilit të Helmut Kohlit. Historiani i njohur gjerman, Paul Nolte i tha dje gazetës “Tagesspiegel” se Merkeli, si dikur Kohli ka një “stil qetësues në qeverisje” dhe përpiqet që në “mënyrë pragmatike ta mbajë CDU-në si parti të Qendrës”.

‘Me pak lëvizje krijoi realitet të pamohueshëm’

Ish- Ministri i Jashtëm i SHBA, Henry Kissinger hodhi vështrimi në një shkrim për gazetën “Bild” në ribashkimin e Gjermanisë dhe e vlerësoi Helmut Kohlin: “Me pak lëvizje të guximshme ai krijoi atëherë një realitet të pamohueshëm dhe bëri realitet atë që konsiderohej për një kohë të gjatë një ëndërr e largët”.

Zëvendëskryetarja e CDU-së, Julia Klöckner e vlerësoi veprën e Kohlit si “burrë të historisë botërore”. Duke iu referuar aferës së donacioneve të CDU-së, me të cilën Helmut Kohl dëmtoi partinë dhe veten, pas largimit të tij nga posti në vitin 1998, Klöckner tha: “Kam përshtypjen se me kalimin e kohës ka zënë vend edhe njëfarë pajtimi.” Ai që e hedh vështrimin tek Helmut Kohli, duhet ta vështrojë veprën e tij në të gjithë gjerësinë e saj.

Helmut Kohli ishte prej vitit 1982 deri 1998 kancelar i Gjermanisë dhe për 25 vjet kryetar i CDU-së. Në vitin 2008, pas një rrëzimi, ai pësoi një traumë të rëndë të kafkës dhe trurit dhe që atëherë ndodhet në karrige me rrota. Ai flet me vështirësi. Datëlindjen e tij të Premten e Madhe(03.04.2015) ai e feston në mënyrë private me pak njerëz në shtëpinë e tij, në Ludwig – Oggersheim. CDU-ja nuk do të organizojë ceremoni. Në vend të kësaj, në verë Fondacioni Konrad – Adenauer do të organizojë një simpozium të posaçëm në nder të tij.