Helmohen 44 nxënës shqiptarë në Gostivar

Si pasojë e një gazi helmues në shkollën e mesme ekonomike në Komunën e Gostivarit, janë helmuar 44 persona në mesin e tyre profesorë, nxënës e pjesëtarë të sigurimit të shkollës. Ndërsa 14 prej tyre janë dërguar në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup.

Lajme

15/02/2014 13:05

Mbi 44 persona llogaritet të jenë helmuar si pasojë e një gazi helmues në shkollën e mesme ekonomike në Komunën e Gostivarit, ndërsa 14 persona prej tyre janë dërguar në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup.

Gjatë ditës së djeshme numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë 32 veta, prej të cilëve 7 janë profesorë, një pjesëtar i sigurimit të shkollës dhe pjesa tjetër nxënës të shkollës.

Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Ferit Muça theksoi se 5 profesorë, 4 nxënës dhe një pjesëtar i sigurimit të shkollës po trajtohen në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup, citon “INA”.

 

“Gjendja e pacientëve që janë pranuar në spitalin tonë nuk është e rëndë dhe se po kryhen trajtimet mjekësore”.

“Nga ajo që jemi të informuar është se edhe tek pacientët që kemi në Shkup nuk ka komplikime më të rënda. Jemi duke ndjekur në çdo minutë situatën dhe për të ndërhyrë për çdo komplikim të mundshëm”, theksoi drejtori Muça.

Helmimi është dënuar nga Bardhyl Mahmuti, lider politik i shqiptarëve të Maqedonisë, Kryetar i partisë Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve.

Mahmuti ka thënë për lajmi.net se  në Gostivar është duke u përsëritur ajo që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1990 me nxënësit shqiptarë. prandaj Mahmuti ka ftuar për solidarizim të shqiptarëve.

“Shqiptarët në Maqedoni dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës janë shqiptarët më të shtypur në Europë. Është populli më i shtypur në Europë”, tha Mahmuti.

“Është duke u përsëritur ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1990. Shqiptarët si në Kosovë dhe si në Shqipëri duhet të solidarizohen me shqiptarët në Maqedoni”.

“Sot kur familje të tëra në Maqedoni jetojnë në ankth, mendoj që është shumë e rëndësishme, në atë aspektin e shqiptarëve, që të përqendrohemi në këtë sensibilizim”.

“Sot shqiptarët preokupohen me atë se çka po ndodh me shqiptarët në Maqedoni”, ka thënë Mahmuti për lajmi.net.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka vizituar nxënësit e helmuar shqiptarë.

Gruevski ka qëndruar pranë nxënësve dhe profesorëve të helmuar në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup,  ku është informuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

 

Gruevski i është shmanguar pyetjeve të gazetarëve, por, drejtori i kësaj klinike, Andon Çibishev i cili po shoqëronte  Gruevskin deklaroi para gazetarëve se të gjithë nxënësit dhe profesorët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe se po bëhen analizat e tyre për të vërtetuar llojin e gazit helmues.

Ndërsa ish Kryetari i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, helmimin e të rinjve shqiptarë, e ka quajtur si një akt të  turpshëm dhe të dënueshëm nga Zoti e drejtësia.

Ai ka rikujtuar se ngjarjet e tilla nuk janë të panjohura për shqiptarët.

“Është një lajm sa prekës dhe i papranueshëm, sepse ky fenomen është mirë i njohur për shqiptarët nga helmimet e nxënësve shqiptarë në Kosovë në vitet 89 dhe 90 të shekullit të kaluar”, shkruan Osmani.

Sipas tij, kjo vepër e shëmtuar që prek shpirtin dhe zemrën e çdo shqiptari, na ballafaqon me të vërtetën e hidhur se shkollat publike sot nuk garantojnë as kushtin më elementar të sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë, përkundër faktit që shpenzimet e sigurimit të shkollave i bartin prindërit shqiptarë dhe jo qeveria dhe komuna.

“Duke shprehur përkrahjen me të sinqertë për shëndetin e plotë të të rinjve shqiptarë, ngel të shpresojmë se kjo qeveri pa kredibilitet publik nuk do përsërit dështimin e radhës në zbulimin e fajtorëve, që ishte karakteristikë e sajë na rastin e pësimeve të të rinjve shqiptarë në rajonin e Shkupit”, tha Rufi Osmani.