Helikopterët e qeverisë pa pilot!

Qeveria e Kosovës planifikon t’i blejë disa helikopterë. Por mbetet një dilemë e madhe: kush do t’i pilotoj dhe mirëmbaj ata. Të gjitha institucionet kompetente dhe raportet zyrtare tregojnë se në Kosovë nuk ka asnjë pilot të aftë për t’i drejtuar helikopterët. Përveç kësaj, si do të mirëmbahen.

Lajme

20/04/2017 12:26

Megjithatë gjithçka është në fazën fillestare, si blerja ashtu edhe përgatitja e terrenit për operim të tyre.

Gazeta Fjala mëson se tashmë janë duke u trajnuar tre pilotë në Turqi për drejtim të helikopterëve luftarak. Por, plani fillestar i Qeverisë së Kosovës është të blejë helikopter civil, për të cilët janë të licencuar dhe trajnuar ish-pilotë të armatës Jugosllave, e që tani ose janë në pension ose kanë ndërruar profesionin.

Shkëlqim Krasniqi, kryetar i Federatës Aeronautike të Kosovës, institucion që merret me fluturime civile dhe sportive, shpjegon se edhe nëse ata ri-angazhohen në njëfarë forme janë të pa dobishëm në këtë kohë.

“Në Federatën tonë kemi ish-pilot dhe aviomekanik shumë të mirë të cilët veç janë në pension ose janë të angazhuar komplet në fusha tjera fatkeqësisht, por tani më veç janë jashtë rrjedhave të teknologjive të reja që helikopterët dhe aeroplanët posedojnë”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, ata janë pilot e aviomekanik të ish Armatës Jugosllave dhe pilot sportiv e bujqësorë, të cilët kanë qenë të angazhuar kryesisht në ndërmarrjen “Agrokosova”.

Krasniqi shpjegon se pilotët që janë aktiv në Kosovë, kanë njohuri dhe dokumentacion për të pilotuar Aeroplan ultra të lehtë (maksimumi 6 udhëtarë deri në 3500 m lartësi) kryesisht për nevoja shkollore dhe turistike.

Sipas tij më së lehti është të merret licenca e pilotit, por pastaj kostoja vjetore për ta mbajtur atë është shumë e lartë.

“Gjithashtu kriteret për të mbajtur një licence valide të pilotit të çfarëdo lloj kategorie janë çdo ditë e më shumë të vështira, të cilat kërkojnë mjete financiare për të kryer numrin e orëve të fluturimit që kërkohen për vit kalendarik. Kur të llogaritet edhe servisimi i aeroplanëve, parkimi i tyre dhe regjistrimi shkojnë në shumë të papërballueshme”, tregon Krasniqi.

E deri më tani, që nga paslufta, në Kosovë duket se askush nuk ia ka mësyrë as të marrë licencë për të pilotuar helikopterë.

“Përmes Federatës tonë nuk është licencuar asnjë pilot helikopteri viteve të fundit”.

Përveç kësaj, raportet e Autoritetit Rregullativ të Aviacionit Civil të Kosovës, institucioni i vetëm që regjistron, licencon apo përkthen nga jashtë dokumentacionet që kanë lidhje me fluturime civile ose sportive, tregojnë se që nga viti 2009 nuk është bërë asnjë nostrifikim licence për helikopter nga jashtë.

Në këtë institucion në gusht të vitit 2011 kanë bërë miratimin e kërkesës për të filluar me operime të helikopterëve në një pjesë të aeroportit, e cila më parë është shfrytëzuar si ndërtesë e policisë, ndërsa pas një investimi në infrastrukturë është kthyer në hangar helikopterësh dhe platformë për parkim dhe operim të helikopterëve të kompanisë Elitaliana, e cila është kontraktuar nga EULEX-i për qëllime të misionit të tyre.

2 milionë euro një helikopter

Në Federatën Aeronautike të Kosovës tregojnë se për të pilotuar Helikopterët jo ushtarak, të cilët mendohet se mund t’i blejë Qeveria e Kosovës, duhen 6 muaj së paku deri në 12 muaj për të marrë licencën e pilotit.

“Pastaj ka trajnime të veçanta për atë lloj helikopteri që mund të jenë nga një muaj deri në tre muaj. Varësisht nga moti, nga testet e kaluara, njohuria e gjuhës Angleze, lloji i helikopterit e disa faktorë tjerë”.

Krasniqi vlerëson se Kosova ka nevojë urgjente për helikopter të vegjël që si objektiv kryesor kanë:

– Bartjen e Qeveritarëve apo delegacioneve të ndryshme për vendet ku nuk mund të shkohet me makina apo koha e veprimit është shumë e shpejtë. Shembull rasti i Ortekut në Restelicë ose delegacioneve të huaja që qëndrojnë për vizitë të shkurtër në Kosovë.

– Helikopter Ambulance që i ka të gjitha mjetet e një Ambulance Ajrore dhe shpëton jetë.

– Helikopter për kërkim shpëtim (Kryesisht janë pronë dhe menaxhohen nga Ushtria e një vendi).

– Helikopter për nevoja të Policisë.

Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thonë se të gjitha këto çështje po trajtohen detajisht nga ekipi ndërministror i caktuar nga Kryeministri Isa Mustafa, që identifikimin e nevojave shtetërore të Republikës së Kosovës dhe krijimin e kushteve për blerjen e helikopterëve.

“Ekipi ndërministror do të adresojë të gjitha çështjet ligjore, administrative, procedurale, kapacitetet financiare si dhe do të vendos kontaktet me kompanitë prestigjioze për blerjen e helikopterëve”, thonë për Gazetën Fjala në këtë institucion.

Sipas tyre, pajisja e institucioneve shtetërore me helikopterë do të jetë në shërbim të ngritjes së nivelit të sigurisë, përballjes me emergjenca civile, shpëtimit të jetëve të qytetarëve si dhe me situata të tjera brenda vendit.

“Po ashtu, kjo çështje do të adresohet në përputhje me nevojat dhe me kapacitetet financiare që ka vendi për pajisje me helikopterë”, thonë në Zyrën e kryeministrit Mustafa.

Për cilindo lloj të helikopterëve që përcaktohet ekzekutivi kosovarë, çmimet nuk duken të jenë të lira.

Sipas njohësve të kësaj fushe, helikopterët jo ushtarak që do të përmbushnin nevojat e Kosovës mund të kushtojnë deri në 2 milionë euro.

“Sikur gjithçka në treg ka modele dhe lloje të shumta të helikopterëve. Më të lirët janë nga 100 000 Euro e deri në 2 milionë euro. Krejt varet edhe pajisjet shtesë që kërkohen nga blerësi”, tregon kreu i Federatës së Aeronautikës së Kosovës.

Helikopterët pa pista

Ideja e helikopterëve për nevoja të spitalit, Qeverisë, kërkim shpëtim apo për nevoja policore sipas njohësve të kësaj fushe është e vjetër gati 10 vite afërsisht. Ndërsa ende nuk ka pasur asgjë konkrete.

Përparësia e Helikopterëve është se mund të ulen pothuajse çdo kund ku ka një hapësirë të rrafshet në sipërfaqe 700-1000 metra katrorë.

Deri më tani janë realizuar zbritje disa herë në QKUK (rasti i Gërdecit në Shqipëri dhe transferime jashtë shtetit për shtetas të huaj).  Ndërkaq, navigimin e tyre e bën Kulla e vrojtimit nga Aeroporti i Prishtinës.

Kurse për hapësirë/pistë të licencuar nga Aviacioni Civil si hapësirë Helikopterësh në Federatën e Aeronautikës nuk kanë informacion nëse ka të tillë. Gazeta Fjala nuk ka arritur të marrë të dhëna as nga Aviacioni Civil për këtë çështje.

Këtu bëjnë përjashtim pistat që përdoren nga KFOR-i.

Në anën tjetër, kreu i Aeronautve të Kosovës, Shkëlqim Krasniqi thotë se janë duke u sorollatur me vite të tëra me dokumentacion për ta kthyer Aeroportin e Dumoshit afër Podujevës që ka qenë aeroport sportiv por ende nuk ka asgjë konkrete.

“Në situatë më të mirë fare nuk është as Aeroporti i Gjakovës ku nuk funksionon asgjë dhe pajisjet milionëshe janë duke u dëmtuar e vjedhur pasi Qeveria nuk po e paguan as kompaninë që ka qenë përgjegjëse për sigurinë fizike”.