Haziri thotë se LDK ka guxim ta përfundojë procesin me Serbinë, por nuk jep emër se kush do t’u printe

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti do ta ketë guximin ta zgjidhë procesin e dialogut me Serbinë – në rast të fitimit të zgjedhjeve – ndonëse nuk ka dhënë emrin e personalitetit të LDK-së që do t’iu printe në procesin e dialogut.

Lajme

18/09/2018 22:39

“Definitivisht. Legjitimiteti qytetar ka me na dhanë mundësinë dhe fuqinë për ta çuar deri në fund me e çu misionin tonë”, ka thënë Haziri në Zona B.

“Nuk ka temë që ne largohemi. Ne edhe më tutje besojmë që rezoluta e Kuvendit që është në fuqi – ajo rezolutë duhet me u ndryshu, nëse dëshirojmë me u ndryshu formati i përfaqësimit. Këtu është problemi”.

“Në Kosovë sot flitet pse presidenti me shku, pse mos me shku dikush tjetër. Kosova është ndarë dhe po ndahet politikisht për shkak të një emri të përveçëm, jo për shkak të një institucioni”.

“Krejt zërat politikë edhe zërat e shoqërisë civile, edhe mediat që janë anti këtij procesi e lidhin me presidentin e republikës – pse ai duhet të jetë e pse nuk duhet të jetë kryetari i qeverisë, kryetari i Kuvendit ose një tjetër”.

Haziri megjithatë refuzoi që partia e saj që gjendet në opozitë ta marrë përgjegjësinë që u takon partive në pushtet, për të cilat tha se nuk kanë unitet të brendshëm.

“Ne e kemi bërë të qartë. Opozita nuk mund ta marrë barrën dhe përgjegjësinë politike të partive qeverisëse sa i përket normalizimit”.

Megjithatë, Haziri nuk dha një emër se cili personalitet i LDK-së do t’i printe kësaj partie në zgjidhje ne procesit pa PDK-në dhe AAK-në në Bruksel, duke thënë se ende nuk e kanë diskutuar në detaje këtë gjë në parti.

Sidoqoftë ai nuk i kurseu kritikat për PAN-in, për të cilin koalicion tha se nuk po arrin të ndërtojë unitetin e brendshëm.