Haziri: Republika e jonë është e re, por historia e saj është e vjetër

Gjilani me aktivitete të shumta ka shënuar njëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Lajme

17/02/2019 14:42

Dita ka nisur me një akademi solemne, në të cilën pjesëmarrësve u është drejtuar i pari i komunës, Lutfi Haziri.

“Pikërisht 11 vite më parë, në pasdites e së dielës së vitit 2008, deputetet ë Republikës së Kosovës shpallën deklaratën e pavarësisë, ajo që quhet deklarata e koordinuar për pavarësi e që më pas u pasua me njohje nga shtetet më të fuqishme të botës e sot po vazhdohet me rrugëtimin e ngadalshëm, por të sigurt në ndërtimin e shtetit të Kosovës, drejt integrimit në familjen e madhe Evropiane”, ka thënë Haziri.

Siç njofton kumtesa, Lutfi Haziri, që atëkohë ishte njëri nga nënshkruesit e deklaratës, tha se ajo përbërje e deputetëve ishte pasuese e deputetëve që kishin nënshkruar deklaratën e pavarësisë së deklaratës së 2 korrikut dhe kjo rrugë e gjatë u vazhdua me rezistencën politike, luftës çlirimtare me në krye komandantin legjendar Adem Jashari dhe me ndihmën e forcave të NATO-s, duke u bërë pjesë e familjes së popujve sovranë, përcjell lajmi.net.

“Tash 11 vite më pas po ecim tutje në ndërtimin e shtetit, qoftë në pushtetin lokal apo atë qendror dhe po vazhdojmë të përballemi me armiqësitë e vjetra dhe me armikun e njëjtë. Kjo ditë lidhet me sinonimin e shumë dëshmorëve, heronjve, martirëve, viktimave të luftës e të rezistencës prej Idriz Seferit e deri te Mulla Idriz Gjilani, mijëra qytetarë dhanë jetën për liri, deri te Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha për çka Gjilani mori mirënjohje kolektive për kontributin që dha për paqe dhe liri”.

“Ta ujisim shpresën tonë për një jetë më të mirë, ta forcojmë besimin tonë për zhvillim dhe përparim, t’i tejkalojmë dallimet tona. Republika e jonë është e re, por historia e saj është e vjetër. Ajo është vetëm hapi i parë për të qenë të pavarur e të bashkuar, andaj mesazhi i të rënëve të përçohet nga ne”, ka thënë Haziri, që ka uruar që kjo datë të jetë e përjetshme në historinë tonë e bëftë dritë vepra e atyre që ranë për liri.

Në këtë akademi është mbajtur edhe një program i pasur artistik, ku është paraqitur Kori i Shkollës së Mesme të Muzikës. /Lajmi.net/