Haziri: Qeveria e rrënoi “punën kolosale” të ministrit Hyseni për INTERPOL

Vendimi i Qeverisë "Haradinaj" që ta shtyjë për më tutje aplikimin në INTERPOL për shkak se, sipas tyre, Kosova nuk ka pasur numër të mjaftueshëm që të anëtarësohet, është pritur keq nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajme

22/09/2017 16:05

Kjo e fundit e kishte zyrtarin e tyre që e udhëhiqte Ministrinë e Punëve të Brendshme Skender Hysenin, i cili vazhdimisht ishte shprehur optimist se Kosova shpejt do të jetë pjesë e INTERPOL-it.

Mundësinë për të hequr dorë nga procesi i votimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, e kishte përmendur të mërkurën dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, e që një ditë më pas Qeveria e zyrtarizoi këtë.

Haradinaj është shprehur se ka marrë vendim për ta shtyrë votimin e Kosovës në INTERPOL, duke sqaruar se besimi në Kosovën si anëtare e INTERPOL-it është shprehur në shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që të anëtarësohet.

Por nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se Qeveria e re e rrënoi një punë 3-vjeçare të cilën e kishte bërë me sukses ish-ministri i tyre Skender Hyseni.

Haziri thekson se Kosova atëkohë e kishte mbështetjen për anëtarësim në INTERPOL, por që u mohua të realizohej nga pushteti aktual.

“Puna 3-vjeçare e ministrit më të suksesshëm të MPB-së, Skender Hysenit, bëri që Kosova të fitojë mbështetjen edhe për anëtarësimin në INTERPOL dhe vetëm për një javë kjo Qeveri e rrënoi sepse bashkësia ndërkombëtare e ka tërhequr mbështetjen për anëtarësim e republikës tonë”, tha Haziri për Express të premten.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it kishte vendosur që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm ndërkombëtar policor të hyjë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që do të mbahet prej 26 deri më 29 shtator në Pekin të Kinës.

Por, sipas Pacollit, pala kosovare nuk ka arritur as të sigurojë viza për të shkuar atje.