Haziri Presidentes: A jeni unifikuese apo marionetë

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, duke komentuar ngërçin politik në vend, thotë se presidentja Atifete Jahjaga e ka një sfidë të vogël politike për të zgjedhur. 

Lajme

15/10/2014 21:45

Haziri e ka këshilluar presidenten Jahjaga që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që kjo e fundit të sqarojë nenin 117 të përgjigjes së Kushtetueses .

Në një mesazh për Presidenten, Haziri e ka porositur Jahjagën që marrë rolin e saj unifikues. 

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Lutfi Hazirit në Facebook:

Për presidenten e Republikës,

Ne qytetarët dhe të zgjedhurit e Republikës jemi të vetëdijshëm se jeni në Zyrën kryesore për të përfaqësuar unitetin dhe jeni pasuese e Dr. Ibrahim Rugovës – presidentit historik, Dr. Fatmir Sejdiut – presidentit të pavarësisë, derisa për pak ditë edhe të ekselencës e tij Behgjet Pacollit – Bacit, të cilin LDK e nxorri nga zyra. Mbaje në mend se të sipërpërmendurit e kanë udhëhequr popullin e Kosovës me sfida e probleme të mëdha madje edhe sfida lufte! E Ju, zonja Presidente, e keni në mandat që ta zgjidhni një situatë të vogël politike! Të lutem, tregohuni e dinjitetshme dhe unifikuese. Dërgojeni në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nenin 117 dhe uroje pesë vjetorin e themelimit të këtij institucioni. Dërgojeni pyetësorin dhe ndihmojeni vendin për dalje nga kjo situatë. Pas kësaj, edhe pozita e juaj si Presidente do të besohet përnjëmend, e jo ajo që thuhet se jeni ‘Marioneta e këtij vendi’. Zgjidheni vetë: unifikuese apo marionetë! Për fund, ju ftoj ta vizitoni Gjilanin dhe Anamoravën për të parë se si po e mbajmë shtetin në ‘këmbët e qelqit’, ku ngërçi nënkupton mungesë buxheti dhe marrje të taksave komunale nga Qeveria brenda natës!