Haziri: Opsioni i korrigjimit të kufijve është në tavolinën e bisedimeve

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke komentuar çështjen e korrigjimit të kufijve, temë e përfolur tash e sa kohë në vend, ka thënë se beson se kjo temë është reale, në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Lajme

18/09/2018 23:34

“Unë besoj se opsioni i korrigjimit të kufijve është në tavolinë, me pajtueshmërinë e plotë të dy përfaqësuesve të dy vendeve (Kosovë-Serbi) dhe me bekimin e fuqive që Kosovës ia ka dhënë mundësinë ta deklarojë Pavarësinë e Republikës”.

Haziri në Zona B, ka deklaruar se kur ai e ka plasuar idenë e bashkangjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën nuk ka gjetur shumë përkrahje, përkundrazi.

“Kur e kam plasuar dhe kam takuar shumë akterë politikë nga viti 2011 deri në vitin 2013- 2014 të këtij opsioni dhe kur kam lobuar në qendrat më të fuqishme për këto të drejta sepse Marrëveshja e Konçulit është e dështuar edhe me fajin e Prishtinës, jo vetëm me fajin e Serbisë”.

“Marrëveshjen e Konçulit e kanë bërë ‘këmishë të ngushtë’ për shqiptarët, politika e Prishtinës duke dashtë të përmbyllin misionin e asaj kohe që përmbyllë kaptinën e konfliktit, nuk kam parë shumë mbështetje politike përkundër që kam pasë mirëkuptim politik në disa qendra”.

“Më kanë thënë se është e hershme dhe është e vështirë për shkak të raporteve në Ballkan, raporteve që ekizstojnë në Ballkan dhe efektit domino në shtetet e tjera të Ballkanit, janë munduar të arsyetojnë gjithmonë”.

Por sipas nënkryetarit të LDK-së, tashmë ky proces ka lëvizur tutje.

“Kjo ka lëvizë përtej kësaj, procesi, problemi dhe çështja është ndërkombëtarizuar, nuk ka media, gazetë të shkruar të fuqishme në botë që merret me këto probleme që nuk e përshkruan si proces që pritet të ndodhë:,

“Natyrisht unë jam lojal në qëndrimin e LDK-së sepse e respektoj qëndrimin e shumicës politike”.

Sipas Hazirit, LDK mbështet dialogun, por edhe zgjedhjet përpara këtij procesi.

“LDK e ka bërë të qartë që nuk është kundër dialogut, dialogu si proces është i detyrueshëm dhe është arma kryesore që LDK-ja e ka afirmuar në çdo kohë por ne edhë më tutje besojmë në legjitimet”.

“Apeli jonë është që të ulemi, të ndërtojmë unitet, konsensus politik sepse proceset politike që pritet t’i kalojë vendi nuk mund të përballohen pa njëri-tjetrin”.

“Nuk duhet t’i frikësohemi zgjedhjeve, sondazhet janë këto që janë, perceptimi publik del çdo dite por nuk duhet marrë mesazh ne që jemi me besim më të madh publik sot që të sillemi me arrogancë karshi rezultatit por as ata që kanë ulje të mbështetjes me frikë politike”.