Haziri numëron tri parimet e LDK-së për dialogun

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se tri parimet e LDK-së për dialogun e Kosoës me Serbinë janë konsensusi politik, dokumenti i Uashingtonit dhe tajmingu (orari).

Lajme

29/05/2018 19:14

“Parimi i parë është dokumenti i Uashingtonit, e që është dokument i Kuintit i harmonizuar me SHBA-në dhe Berlinin në fazën e parë”, ka thënë Haziri në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Dokumenti i ka parimet e negociatave, nuk i ka çështjet”.

Ndërkaq parimi i dytë ka të bëjë me konsensusin politik, për çka ai ka thënë se duhet thirrur seancë në Kuvendin e Kosovës.

“Parimi i dytë është konsensusi politik që duhet ngritur në nivel të Kuvendit. Kuvendi duhet ta diskutojë. Kjo është thirrje për seancë normale ,nuk jemi në guti me thirrë seancë të jashtëzakonshme”.

“Kredibiliteti i institucionit (Kuvendit) është kah dëmtohet seriozisht”.

“Prej Kuvendit i cili ndërton unitet ose konsensus institucional për të dalë në publik, te shoqëria civile, grupet e interesit, të gjithë akterët që kanë nevojë për këtë, në mënyrë që me ndërtu një konsensus sa më të gjerë”.

“Parimi i tretë është tajmingu, duhet të ketë një orar të saktë të çështjeve, dhe një fillim dhe mbarim të procesit. Nuk ka proces pakufi”.

Haziri konkludoi se duhet hyrë një proces të ri normalizimi marrëdhëniesh, dhe të një kornize të re.