Haziri: Nëse presidentja s’ka sukses, ne i drejtohemi Kushtetueses

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri thotë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik.

Lajme

16/10/2014 18:52

Në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës, Haziri tha se tendenca për të zgjidhur çështje përmes zgjedhjeve të reja, shkel vullnetin e qytetarëve që dolën në zgjedhjet e 8 qershorit.

“Jo, nuk janë zgjedhjet e reja zgjidhje. Ne kemi një rezultat zgjedhor të zgjedhjeve të 8 qershorit. Tendenca për të gjetur zgjidhje duke u thirrur për zgjedhje të reja, mendoj se është shkelje e vullnetit të qytetarëve”.

Duke folur për takimet që po zhvillon presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, Haziri tha se ajo duhet të luaj rolin e saj kushtetues dhe, nëse nuk arrinë që të lehtësojë gjendjen, deputetët mund t’i drejtohen Kushtetueses për sqarim.

Gjithsesi, Haziri tha se presidentja nuk ka të drejtë të shpallë zgjedhjet, pa u konstituuar organet e Kuvendit.

“Zgjidhja po kërkohet ende. Presidentja e ka marrë një rol, ajo e ka të drejtën kushtetuese që ta luaj rolin e saj unifikues”.

“Opsione duhet të ketë, sepse nuk mund të na thuhet të ndryshojmë qëndrime, kur ne kemi një marrëveshje kur kemi një opsion politik”.

“Presidentja nuk ka të drejtë të shpallë zgjedhjet pa konstituimin e Kuvendit. Presidentja mund ta lehtësojë gjendjen nëse dëshiron, nëse jo deputetët mund t’i drejtohen Kushtetueses”.

Lutfi Haziri thotë se LDK-ja në asnjë mënyrë nuk do të heq dorë nga kryeparlamentari.

“Është non sens të heqim dorë nga kryeparlamentari kur partia që ka fituar zgjedhjet nuk ka vota për ta votuar kryeparlamentarin”.

Ndërkaq, analisti politik, Naim Rashiti thotë se opsioni i shkuarjes në zgjedhje të reja qëndron, duke pasur parasysh qëndrimet e dy blloqeve politike, të cilët nuk po ndërrojnë qëndrimet.

“E para që zgjedhjet janë kategoria e parë fundamentale demokratike dhe ato nuk duhet përjashtohen për të gjetur zgjidhje. Ato janë opsionale për shkak se organet e Kuvendit nuk po konstituohen për shkak të mungesës së një marrëveshje politike”.

“Presidentja duhet të marrë vendim kushtetues dhe të urdhërojë Flora Brovinën që të hap seancën dhe të dy blloqet të diskutojnë për gjetjen e zgjedhje. Nëse kjo nuk prodhon zgjidhje, atëherë le të shkojmë në zgjedhje”, tha Rashiti për Klan Kosova.