Haziri: Me pushkën e tij, Agim Ramadani e shkuli gurin ndarës të shqiptarëve

Manifestimi treditor tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2015”, i cili i kushtohet figurës së dëshmorit të kombit Agim Ramadani, ka kulmuar sot me tubimin qendror në fshatin Zhegër të Gjilanit, me një pjesëmarrje masovike të mbi 5 mijë qytetarëve nga mbarë trojet shqiptare.

Lajme

03/05/2015 19:51

Në ngjarje ka qenë i pranishëm kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu si dhe deputetë, bashkëluftëtarë të dëshmorit e përfaqësues nga jeta politike, institucionale e kulturore.

Kryetari Haziri tha se Agimi me luftë, me kushtrim, me pushkën, me penën dhe me brushën e tij, u bë i pavdekshëm.

“Sot në “Ditët e Agimit” ne shënojmë ditëlindjen tij edhe pse Agimi me luftën, me kushtrimin, me pushkën, me penën dhe me brushën e tij, u bë i pavdekshëm. Secili prej neve e dëshiron një pavdekësi të tillë. Agim Ramdani, në të gjitha format ashtu siç edhe ne i shënojmë këto ditë, edhe me kulturë edhe me poezi edhe me pikturë dhe me fjalët e tij, e mbi të gjitha, me shembullin e tij, bëri që të nderohet Karadaku, Zhegra, Kosova, atdheu dhe shqiptarët kudo që jetojnë”, tha Haziri.

Ai  theksoi se Agim Ramadani theu kufirin shqiptaro-shqiptar dhe guri ndarës u shkul me pushkën e tij.

“Agimi na ka bërë bashkë sot të gjithëve, djem e vajza, burra e gra, pleq e plaka, për ta nderuar një vepër të madhe të një kryengritësi, i cili është pasues i Idriz Seferit. Agim Ramdani theu kufirin shqiptaro-shqiptar dhe guri ndarës u shkul me pushkën e tij. Në emër të Komunës së Gjilanit më lejoni që ta nderoj çdokënd që ka qenë përkrah Agimit, siç është familja e tij, bashkëluftëtarët e tij, veteranët dhe të gjitha ata që kontribuuan për lirinë. Kushtrimi i Agimit nuk ka shkuar deri në vend, deri në atë shkallë sa të bëhemi bashkë të gjithë. Kushtrimi i tij na thërret çdo ditë që ta gëzojmë pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve”, është shprehur kryetari Haziri.

Në emër të Brigadës “138 Agim Ramadani” ka folur Feriz Trezhnjeva, i cili ka evokuar kujtime për dëshmorin Agim Ramadani.

“Njerëzit e mëdhenj kanë vetëm një ditëlindje dhe Agim Ramadani ka vetëm një ditëlindje, atë që e festoni ju Zhegra, Gjilani dhe mbarë Kosova. Unë kam pasur kënaqësinë që ta njoh të madhin Agim Ramadani kur në Betejën e Koshares ishte prijësi i kryesor dhe së bashku me Sali Çekun dhe shokët e tij, padrejtësinë e vitit 1913 e përmirësoi duke e hequr gurin e kufirit dhe duke zhvilluar luftën m’u aty”, tha Trezhnjeva.

Në emër të familjes Ramadani të pranishmit i ka përshëndetur vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, i cili u zotua se, si familje, do të vazhdojnë ta japin kontributin dhe përkrahjen e përbashkët në interes të të gjithë qytetarëve.

Në këtë tubim u ndanë edhe kupat për fituesit e turneve që janë mbajtur për tre ditë. Kupën fituese për ekipin e shkollës së mjekësisë në Gjilan “Allan Elezi” e dorëzoi kampioni i boksit Erzen Rrustemi, ndërsa kupën për vendin e parë (Alban Haziri) në garën “Vrapimi i Lirisë” nga varri i Idriz Seferit e deri tek kroi i Agim Ramadanit, e dorëzoi kampioni tjetër i boksit Nuri Seferi.

Ndërkaq, poetes Edona Haliti, e cila triumfoi në orën e madhe letrare “Muza e Agimit”, ia dorëzoi mirënjohjen shkrimtari i mirënjohur nga Zhegra, Ibrahim Kadriu, ku ky i fundit u nderua nga shoqata kulturore “Ditët e Agimit” në 70 vjetorin e lindjes dhe në 50 vjetorin e krijimtarisë së tij.

Tubimi është përmbyllur me një program të pasur kulturor-artistik, ku performuan këngëtarët: Ismet Bexheti, Gold AG, Edona Llaloshi, Labinot Tahiri si dhe grupe të tjera muzikore, transmeton KosovaPress.