Haziri: Liberalizimi i vizave nuk është dhuratë

Ish-kryetari i Komisionit për Integrime Europiane, Lutfi Haziri e ka cilësuar si lajm të keq deklarimet e Komisioneres Cecilia Malmstron, e cila kishte thënë se nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën deri sa të përmbushen të gjitha kriteret.

Lajme

11/04/2014 07:30

Lutfi Haziri thotë se përderisa vet njeriu kryesor i këtij procesi ka thënë se nuk janë përmbushur kriteret, kjo sipas tij tregon se Kosova nuk ka arritur parametrat e kërkuara në fushën e sundimit të ligjit.

“Vetë fakti se njeriu kryesor i procesit të liberalizimit të vizave, znj. Malmstrom, e ka qartësuar se nuk do të ketë liberalizim, derisa të ketë rezultate të prekshme, është një lajm i keq për Kosovën dhe kjo tregon se në fushën e sundimit të ligjit nuk janë arritur parametrat e kënaqshme për ta përfituar datën se kur Kosova mund të përfshihet eventualisht në qarkullimin e lirë”.

Në një bisedë për “Epoka e Re”, Haziri ka thënë se Kosova duhet t’i kryej të gjitha obligimet e saj, të luftoj krimin e korrupsionin, në mënyrë që të përfitojë nga ky proces.

Ai thotë se liberalizimi i vizave nuk duhet të shihet si dhuratë apo si karotë për Kosovën, por është “një diçka që duhet të fitohet vetëm”.

“Duhet ti largojmë të gjitha arsyet Brukselit. Këtë mund ta largojmë vetëm nëse realizojmë detyrat tona teknike, të cilat janë të përshkruara. Kjo ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe formave të tjera korruptive, që Kosova të kthehet në agjendë dhe të përfitojë”.

“Deri atëherë duhet të bindemi se kjo nuk është dhuratë, liberalizimi i vizave nuk është karotë për Kosovën, por është një diçka që duhet të fitohet vetëm”, ka thënë Lufti Haziri për “Epoka e Re”.