Haziri: LDK nuk e përkrah Albin Kurtin për kryeministër

Në qoftë se mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, LDK nuk do ta përkrahë Albin Kurtin si kandidat të mundshëm të Bllokut, ka deklaruar anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri.  

Lajme

13/10/2014 19:56

Përmendja e Albin Kurtit si kandidat i mundshëm për kryeministër, në qoftë se mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe nëse Blloku LVAN vendos të marrë pjesë në zgjedhje si koalicion parazgjedhor, do të mbetet vetëm dëshirë e aktivistëve dhe zyrtarëve të Vetëvendosjes.

Lutfi Haziri ka thënë për Botapress se ai është kundër zgjedhjeve të reja dhe ka rikujtuar faktin se ekziston një marrëveshje për kryeministër e që është Ramush Haradinaj.

“Unë i përjashtoj zgjedhjet si opsion. Vendi ka nevojë për zgjidhje politike, e jo për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne kemi bërë një marrëveshje me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen për ta nominuar Ramush Haradinaj për kryeministër”, tha ai.

I pyetur nëse LDK do të pranojë propozimin që Albin Kurti të jetë kandidat për kryeministër i koalicionit, në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Haziri është deklaruar kundër kësaj.

“LDK-ja e ka kandidatin e vet, ai është Isa Mustafa”, ka thënë Haziri pėr Botapress.