Haziri: I lumtur që kaloi në Qeveri kërkesa e Komunës për ndërtimin e Kapusit Universitar

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë sot konfirmimin zyrtar të qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila tashmë ka kaluar kërkesën e Komunës për investimin e kampusit Universitar me kushte dhe standarde moderne.

Lajme

15/12/2017 16:14

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot me vendim të qeverisë së Republikës së Kosovës, fillon procesi kryesor i ndërtimit të kampusit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. Kampusi i ri do të ndërtohet në 7.3 hektarë tokë dhe do të jetë me infrastrukturë dhe kushte të nivelit më të lartë sipas standardeve europiane. Kapaciteti i tij do të jetë për mbi 16 mijë studentë, staf akademik, personel, staf përcjellës etj. Do të jetë një qendër e madhe moderne që do të ketë kapacitete të plota universitare për studime të mirëfillta dhe për nxënie të dijes”, ka thënë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Haziri, gjithashtu, ka thënë se kampusi universitar në kuadër të tij është e paraparë të ketë hapësirat rekreative, sportive, biblioteka dhe fusha të tjera që janë një mundësi e madhe për studentët dhe për të gjithë ata që do të jenë pjesë e këtij kampusi, duke mos anashkaluar asnjëherë ambientin, gjelbrimin në përgjithësi dhe gjithë ajo infrastrukturë që tashmë do të vendoset në shërbim të universitetit “Kadri Zeka”.

“Deri në ndërtimin e këtij kampusi gjigant për Gjilanin, shpresojmë shumë që Universiteti të gjejë një zgjidhje të përkohshme, për vendosje të stafit dhe të studentëve në mënyrë që të ndikojmë në përshpejtimin e ndërtimit të qendrës së madhe universitare në Gjilan, që do të ketë karakter regjional gjithsesi. Urime të gjithë studentëve, profesorëve dhe rektorit Bajram Kosumi”, ka përfunduar fjalën e tij kryetari Lutfi Haziri. /Lajmi.net/