Haziri: Gjilani ndodhet në fazën zhvillimore të infrastrukturës së trashëguar nga vitet e shtatëdhjeta

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në seancën e fundit të Kuvendit komunal për këtë vit, ka thënë se kjo komunë ndodhet në fazën zhvillimore të infrastrukturës së trashëguar nga vitet e shtatëdhjeta.

Lajme

26/12/2018 17:24

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të mërkurën seancën e fundit për këtë vit kalendarik, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka miratuar rregulloren për këshillat lokalë, vendimin për ndarjen e titujve të nderit për veprimtarin Ilir Mustafa (pas vdekjes) dhe afaristin Fehmi Fetahu, vendimin për caktimin e kompensimit mujor për anëtarët e komisionit komunal të aksionarëve në NLP “Tregu”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Ecohigjiena”, planin e punës së Kuvendit për vitin 2019, orarin e mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve, kërkesën për financimin e manifestimit “Flaka e Janarit” 2019, pastaj raportin e Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) për vitin 2017, raportin e punës për vitin 2018 të KKSB si dhe planin e punës për vitin 2019 të KKSB.

Ndërkaq, raportin e punës së kryetarit të Komunës për vitin 2018, me kërkesën e opozitës si dhe dakordimin e subjekteve të tjera si dhe të vetë kryetarit Haziri, e ka shtyrë për seancën e janarit, sikurse edhe kërkesën e teatrit për shlyerjen e borxheve.

Fillimisht, kryesuesja e Kuvendit, i ka uruar këshilltarët për 14 dhjetorin, ditën e formimit të Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se kjo do të jetë një nga datat më të rëndësishme të këtij vendi, sepse u realizua një aspiratë e madhe e popullit të Kosovës.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, duke u përgjigjur në disa prej pyetjeve konkrete të këshilltarëve komunalë rreth investimeve, kryesisht të opozitës, ka thënë se Gjilani ndodhet në fazën zhvillimore të infrastrukturës, të cilën e ka trashëguar nga vitet e shtatëdhjeta dhe brenda këtyre vijave urbane duhet të bëjë zgjidhjen më të mirë të mundshme, ose ndryshe duhet rrënuar banesa dhe shtëpi private, gjë që nuk do të ishte e drejtë.

Plani zhvillimor duhet të përfundojë deri në fund të marsit ose fillim të prillit dhe ai do të votohet nga Kuvendi Komunal, i cili ka me vendos se si do të duket qyteti ynë në të ardhmen, ka thënë Haziri.

Sa i përket rrugës “Fehmi Agani”, ai tha se është e vërtetë që këtu punimet janë vonuar, por jo me fajin e Komunës, meqë bëhet fjalë për një investim të përbashkët me Ministrinë e Infrastrukturës, e cila ka nxjerrë obligime shtesë për shkak të terrenit dhe disa vështirësive tjera, ndërkohë që u shpreh optimist se këto probleme do të tejkalohen dhe punimet do të kryhen shpejt.

Ndërkaq për rastin e Shtëpisë së kulturës në Përlepnicë, kryetari Haziri ka sqaruar se për shkak të problemeve që i ka pasur më herët projekti, që njëherësh ka qenë i përfshirë edhe në hetime, ka mbetur anash.

“Vitin e ardhshëm ne do të investojmë dhe finalizojmë plotësisht këtë projekt sikurse do të rregullojmë edhe ambientin përreth Shtëpisë së kulturës,  me buxhet të Komunës”, ka thënë ai.

Rrugët dhe infrastruktura tjetër në disa lagje të tjera, siç është lagja Porodin, kanë filluar  dhe do të vazhdohet vitin tjetër, sepse janë projekte të buxhetuara, sikurse edhe në disa fshatra të tjera, me projektet që kanë të bëjnë me rrjetin e ujësjellësit, përfshirë edhe Pogragjën ku duhet gjetur burim i ri i ujit për pije. Në lagjen e Balecit, ku dëmtimi i rrugëve ka ndodhur për shkak të shtrirjes së rrjetit të ri të ujësjellësit, ne e kemi marrë për obligim të bëjmë sanimin e gjendjes, edhe pse ky obligim i takon operatorit, ka thënë kryetari Haziri.

“Jemi të vetëdijshëm se të gjitha problemeve nuk kemi mundur t`u japim zgjidhje ende, por jemi duke vazhduar t`i kryejmë punët tona sipas dinamikës së paraparë, gjithandej nëpër fshatra dhe lagje të qytetit”, ka thënë Haziri.

Sa i përket problemit me ”Ecohigjiena”, i cili po manifestohet në kryerjen e shërbimeve, kryetari Haziri, ka thënë se Komuna është në raporte jo të mira profesionale dhe njerëzore me këtë kompani prej dy vitesh. “Ecohigjiena” vazhdon të mos i përmbush obligimet në investime dhe as nuk e ka zbatuar vendimin e fundit të gjykatës për kthimin në punë të punëtorëve të larguar më herët. Përkundrazi, ka vazhduar me largimin nga puna edhe të punëtorëve të tjerë.

“Ne kërkojmë përmbushjen e obligimeve sipas kontratës si dhe ndarjen e dividentës sipas përqindjes, ku Komuna e Gjilanit i zotëron 40 për qind të aksioneve”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se Komuna nuk do të lëshojë pe kur janë në pyetje interesat e punëtorëve, sepse mbajtja e tyre në punë është pjesë e kontratës, përderisa ata nuk bëjnë shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Për më tepër, kryetari Haziri ka thënë se është momenti i fundit që “Ecohigjiena” të fillojë t`i  zbatojë ligjet e Kosovës.

Haziri është sqaruar edhe rreth ushtrisë së Kosovës, duke thënë se është krejtësisht e pandershme t`i atribuohen gjera që nuk qëndrojnë në raport me të dhe as nuk janë kërkuar prej komunave, duke thënë se ai nuk është prononcuar në cilësinë e kryetarit të Komunës, por në kapacitetin e tij si përfaqësues politik dhe ajo që e ka thënë, ashtu edhe ka ndodhur, asgjë më shumë.

Me tri ligje nuk ka ndodhur transformimi i FSK-së në ushtri, por vetëm është miratuar një proces i ri i hapjes së mundësisë për këtë transformim në të ardhmen, ka thënë ai.

Në pyetjet tjera të këshilltarëve komunalë, Nevzad Isufi, Shefik Kurteshi, Xhelal Hajrullahu, Riza Abdyli, Ibish Ibishi, Arbëresha Kryeziu Hyseni, Mimoza Kadriu, Enver Hajrullahu, Anila Tusha, Arianit Sadiku dhe të tjerëve, pos kryetarit Haziri, përgjigje kanë dhënë edhe nënkryetari Arbër Ismajli si dhe drejtorët Naser Korça, Nazim Gagica, Nevzad Rushiti, Zijadin Maliqi, Shpresa Hajdari e Sami Spahiu.

Me disa ndryshime dhe plotësime Kuvendi miratoi edhe rregulloren për bashkëpunim me këshilla lokalë, që kanë të bëjnë me gjithëpërfshirjen dhe kompensimin, si nevojë për një funksionim sa më të mirë të këtyre njësive.

Kuvendi vendosi që kompensimi mujor për anëtarët e komisionit komunal të aksionarëve në NLP “Tregu”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Ecohigjiena”, të jetë 200 euro (100+50+50) në muaj dhe jo 250 euro, siç ishte propozimi i parë.

Kuvendi miratoi edhe kërkesën e DKRS-së për ndarjen e një shume të mjeteve prej 56.350 euro, për nevoja të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, pas një diskutimi të gjerë dhe sqarimeve që kanë dhënë  drejtoresha e Kulturës, Shpresa Hajdari, drejtori i Buxhetit, Zijadin Maliqi si dhe nënkryetari Komunës, Arbër Ismajli, të bindur se një pjesë të kësaj shume do ta ndajë MKRS-ja, ku është bërë po ashtu kërkesa, ose përndryshe programi duhet të reduktohet vetëm në shtyllat kryesore të tij.

Kurse kërkesa e Teatrit për shlyerjen e borxheve është shtyrë për seancën e janarit, pasi që, siç ka thënë nënkryetari Ismajli, edhe ashtu mjetet nuk mund të ndahen brenda këtij viti.

Raportin e Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) për vitin 2017 e ka paraqitur koordinatori Ibrahim Ademi, duke nënvizuar faktin se falë punës së mirë që ka bërë Komuna e këtushme, Gjilani është shpërblyer me tri grante, mjete këto që janë orientuar për asfaltimin e rrugës së Kumanovës, ndërtimin e rreth-rrotullimit te udhëkryqi i Prishtinës si dhe për asfaltimin e rrugëve në lagjen “Porodin”.

Për të gjitha këto pika të rendit të ditës, në Kuvend Komunal është zhvilluar debat i gjerë, para se të miratohen.

Në fund, nënkryetari Ismjali, në emër të kryetarit Haziri, i ka falënderuar të gjitha grupimet politike për bashkëpunim dhe u ka uruar festat e fundvitit, njësoj sikurse ka bërë edhe kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, e cila i ka falënderuar këshilltarët komunalë për angazhimin e përbashkët dhe punën konstruktive të bërë gjatë këtij viti, në interes të qytetarëve të Gjilanit. /Lajmi.net/