Haziri e do VV-në në koalicion qeverisës

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkojnë që bllokut LDK-AAK-Nisma, t'i bashkohet edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Lajme

06/08/2014 17:45

Kështu është shprehur anëtari i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, i cili vlerëson se Kosovës i duhet një qeveri me shumicë shqiptare.

Kjo deklaratë e Hazirit vije pas ndërprerjes së takimeve në mes të bllokut LAN dhe VV-së, të cilat nuk rezultuan me ndonjë marrëveshje politike.

Haziri thekson se Vetëvendosje duhet të vendosë nëse dëshiron t’i bashkohet shumicës shqiptare për të qeverisur, apo shumicës tjetër shqiptare që është PDK-ja, për të bërë opozitë.

“Kjo është çështje për të cilën ne ende po bisedojmë dhe jam i bindur që edhe vendi ka nevojë, edhe Vetëvendosje ka nevojë të jetë pjesë e shumicës shqiptare për të qeverisur Kosovën”, tha Haziri për Radio Kosovën.

Haziri beson se do të ketë afrim me Vetëvendosjen, duke thënë se koalicioni duhet të ndërtohet mbi mirëbesim.

Ai thekson se ka kontakte të vazhdueshme të zyrtarëve të bllokut me Vetëvendosjen, por një gjë të tillë e mohon sekretari i përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

“Jo nuk ka takime të tilla dhe ne nuk kemi nevojë as të kemi kontakte derisa Blloku të reflektojë mbi marrëveshjen. Ne kemi thënë se marrëveshja që është arritur mes përfaqësuesit të Vetëvendosjes dhe të LDK-së natën e 16 korrikut dhe është sjellur në Kuvend më 17 korrik, ajo është marrëveshja bazë në të cilën vetëm çka mund të shtohen gjëra, por nuk mund të hiqet asnjë prej tyre”, tha Molliqaj për Radio Kosovën.

Molliqaj thotë se përfshirja e Vetëvendosjes në qeveri është një garanci e madhe që do të ketë një ndërrim të kursit të politikës shtetërore të Kosovës, ndërsa nëse kjo qeveri mbetet në votat e Listës Serbe, atëherë, sipas tij, do të ketë degradim të mëtejshëm të shtetit.

E analisti Albert Krasniqi e sheh të rrezikshme mundësinë që qeverisja e vendit të varet nga Lista Serbe.

“Një listë e cila është themeluar dhe diktohet puna e saj nga Qeveria e Serbisë, është e rrezikshme për vendin”, tha Krasniqi.

Ndryshe, në seancën e kontestuar konstituive të Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa arriti t’i sigurojë 65 vota falë votës së Listës Serbe, përderisa deputetët e Vetëvendosjes abstenuan. (rtklive.com)