Haxhiu thotë se Thaçi po tenton ta eleminojë politikisht opozitën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e ka cilësuar si të pasinqertë propozimin e presidentit, Hashim Thaçi që të pamundësojë kandidimin e zyrtarëve për pozita të larta shtetërore, që janë nën hetime.

Lajme

21/03/2017 17:48

Në një postim në facebook, Haxhiu ka pretenduar se sikur në Kosovë të kishte sistem të drejtësisë, Thaçi nuk do të bëhej president, transmeton lajmi.net

Sipas saj, Thaçi po tenton ta eleminojë politikisht opozitën pasi dihet se shumë nga ta janë nën hetime për hedhjen e gazit lotsjellës.

“I ashtuquajturi President, sot paska thënë që do të propozojë ndryshime, për të pamundësuar kandidimin e atyre që janë nën hetime, pa specifikuar tutje. Thaçi është dinak dhe i pacipë dhe propozimi i tij nuk ka synime të pastra e sinqerta. Ai po tenton që përmes kësaj, të elimimojë politikisht opozitën pasi që shumë prej nesh janë nën hetime për shkak të veprimeve tona në mbrojtje të Republikës dhe territorit pra për shkak të hedhjes së gazit lotësjellës në Kuvend!”, ka shkruar Haxhiu në facebook.

Lexo postimin e plotë:

I ashtuquajturi President, sot paska thënë që do të propozojë ndryshime, për të pamundësuar kandidimin e atyre që janë nën hetime, pa specifikuar tutje.

Së pari, sikur të kishim sistem drejtësie, Thaçi nuk do të mund të ishte asnjëherë President, por do të ishte duke dhënë llogari për pasurinë që e ka krijuar dhe gjitha dëmet politike.

Së dyti, Thaçi është dinak dhe i pacipë dhe propozimi i tij nuk ka synime të pastra e sinqerta. Ai po tenton që përmes kësaj, të elimimojë politikisht opozitën pasi që shumë prej nesh janë nën hetime për shkak të veprimeve tona në mbrojtje të Republikës dhe territorit pra për shkak të hedhjes së gazit lotësjellës në Kuvend!

Humbja që po e pëson ai dhe PDK është e papërballueshme për të andaj edhe nuk sheh rrugë tjetër përveç kësaj!