Haxhiu: Ivanoviq për 26 vrasje u dënua 9 vjet, Lushtaku për një ‘vrasje’ inekzistente 12 vjet

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas dënimit të Oliver Ivanoviqit me nëntë vite burg pasi që ishte akuzuar për vrasjen e 26 shqiptarëve, të cilin e quan dënime qesharak, derisa potencon faktin se Sami Lushtaku është dënuam më 12 vite burg, për vrasjen e një personi inekzistent, të cilit nuk i dihet identiteti e as nuk ka kufomë e as varr.

Lajme

22/01/2016 19:14

Haxhiu në një postim në Facebook ka thënë se në të dyja këto raste “peshorja” e drejtësisë është shtrembëruar.

“Shihet qartë se kemi të bëjmë me drejtësi selektive e cila nuk i kontribuon arritjes së drejtësisë si vlerë e shenjtë për të gjitha palët. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të EULEX-it, në Mitrovicë, në rastin penal të Oliver Ivanoviqit, shpërfaq haptazi shtrembërimin e peshores së drejtësisë! Dënimi i shqiptuar ndaj Oliver Ivanoviqit është qesharak në krahasim me peshën e veprave penale”, ka shkruar Haxhiu.

Lexoni postimin e plotë:

Peshorja e Shtrembëruar e Drejtësisë!

Si qytetar dhe deputet i Kuvendit të Kosovës pa paragjykuar profesionalizimin dhe pavarsin e gjykatave si organe të ndara të pushtetit, shpreh shqetësimin tim për aktgjykimet e dy rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Aktgjykimet në rastin Lushtaku dhe Ivanoviq nuk janë në përputhje me pritjet e qytetarëve, familjarëve të viktimave dhe të drejtave themelore të personave të dyshuar. Në këto dy raste “peshorja” e drejtësisë është shtrembruar. Shihet qartë se kemi të bëjmë me drejtësi selektive e cila nuk i kontribuon arritjes së drejtësisë si vlerë e shenjtë për tē gjitha palët. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të EULEX-it, në Mitrovicë, në rastin penal të Oliver Ivanoviqit, shpërfaq haptazi shtrembërimin e peshores së drejtësisë! Dënimi i shqiptuar ndaj Oliver Ivanoviqit është qesharak në krahasim me peshën e veprave penale. Akuza u ngrit për vrasjen e 26 shqiptarëve dhe pastrim etnik, së paku 4 vrasje të shqiptarëve mbi baza të spastrimit etnik me elemente të gjeoncidit ku pergjegjsia penale e të akuzuarit vërtetohet edhe në video-incizime që I kemi parë në TV në kohën e kryerjes së veprës penale. Si qytetarë kur krahasojmë rastin e Oliver Ivanoviqit dhe Gjeneral Sami Lushtakut na shpërfaqet shtrembërimi i peshores së drejtësisë, sepse Gjeneral Lushtaku u dënua 12 vjet për një vepër penale të “vrasjes” së një personi inekzistent, nuk ka identitet të viktimës, nuk ka as kufomë e as varr të supozuarit të vrarë, ndërsa dënimi është kapital. Ndërsa, në të kundërtën, në rastin e Oliver Ivanoviqit dihen me emër e mbiemër 26 shqiptarët e vrarë në rrugën e Kovaçëve, në Mitorvicë, po atë ditë u spastrua etnikisht lagjja “ Bajri” në Mitrovicë, ndërsa dënimi për Ivanoviqin është minimal. Kjo praktikë e shtrembërimit të drejtësisë e vërteton edhe njëherë maskimen se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, për të mos thënë drejtësia me gjykime të këtilla po bëhet e pa arritshme!