Haxhiu e quan Thaçin “paçavure” të Vuçiqit

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se presidentit Hashim Thaçit po i duhet përulja dhe denigrimi për ta thënë të vërtetën. Ajo Thaçin e ka quajtur “paçavure” të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Lajme

17/10/2017 15:54

Reagimi i Haxhiut lidhet me deklaratën e Presidencës pasi sot nuk shkuan për dekretim gjyqtarët dhe prokurorët serbë.

Në njoftimin e presidencës thuhej se “ky është edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”.

Tani Haxhiu ka shkruar në Facebook se këta gjyqtarë kishin marrë bekimin shumë më herët nga Vuçiq, ndërsa aminin nga Edita Tahiri, ish-ministrja për Dialog.

Ky është postimi i saj i plotë:

Presidentit të Republikës po i duhet përulja dhe denigrimi për ta thënë të vërteten. Të vërtetën jo në të mirë të tij, por në të mirë të shtetit të Kosovës.

Por kështu ndodh kur Presidenti e konsideron funksionin e tij si pronar i një ndërmarrje private. Të reagojë vetëm kur integriteti i tij personal cenohet.

Gjyqtarët e prokurorët të cilët sot me urdhëra të Vuçiqit bojkotuan ceremoninë e emërimit formal, kanë marrë bekimin shumë më herët. Ata u emëruan nga Vuçiqi, ndërkaq amini iu dha nga Edita Tahiri. Ministrja e dialogut, anëtare e organit më të lartë ekzekutiv aprovonte emërimet e po këtyre gjyqtarëve të emëruar nga Qeveria e Serbisë. Këta individë të cilët flasin për gjyqësorin e pavarur nëpër koridoret e Brukselit përzgjedhnin gjyqtarët e Serbisë.

Ky nuk është integrim. Këta janë ekzekutorët e Serbisë. Andaj, Presidenti pasi që dikur ishte paçavër e ndërkombëtarëve, tani u bë paçavër e Vuçiqit.