Haxhi Arifi dëshmon në gjyqin për privatizimin e fabrikës ‘FAN’

Në gjykimin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Naser Osmanit, dhe të tjerëve sot dëshmoi Haxhi Arifi, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Lajme

21/11/2017 23:49

Së bashku me Osmanin, të akuzuar janë edhe e Bahri Shabani, Agim Deshishku si dhe 5 zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP): Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Agron Kamberi dhe Adrian Kelmendi.

Haxhi Arifi, i ftuar nga prokuroria, dëshmoi për periudhën në të cilën ka ushtruar funksionin si drejtor i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare për Mirëbesim dhe më pas si drejtor i Bordit të AKP-së.

I pyetur nga prokurorja e cështjes, Fikrije Fejzullahu, në lidhje me procedurat e privatizimit të ndërmarrjeve me spin-off special, Haxhi Arifi tha se procedurat dhe kushtet janë paraparë me rregullore të UNMIK-ut dhe pastaj me ligj.

Ndërkaq, në pyetjet lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë, Arifi deklaroi se në kohën e privatizimit nuk ka qenë në Bord të AKM-së dhe nuk mund të përgjigjet për atë kohë.

Haxhi Arifi shpjegoi se me kërkesën e një anëtari ndërkombëtar të Bordit të Drejtorëve ishte marrë një vendim për të përcaktuar standardet e vlerësimit të përmbushjes së zotimeve në lidhje me investimet dhe kuotën e punësimit në rastet e privatizimit me spin-off special.

“Faza e parë ka qenë përmbushja deri në 40% të zotimeve. Në rast të mospërmbushjes  të së paku 40% të zotimeve, Bordi ka mundur të vazhdonte afatin e përmbushjes së zotimeve ose të tërhiqte aksionet nga ndërmarrja e privatizuar. Nëse blerësi do të përmbushte deri në 60% të zotimeve, për Bordin do të ishte përmbushje e kënaqshme, ndërsa faza e tretë ka qenë nëse blerësi do të përmbushte mbi 60% të zotimeve”, tha Arifi, teksa i shpjegoi gjykatës standardet e vlerësimit të miratuara nga Bordi i AKP-së.

Më pas, prokurorja i parashtroi pyetje Haxhi Arifit në lidhje me vendimin e Bordit të AKP-së për lirimin nga monitorimi të blerësit të fabrikës “FAN”.

Haxhi Arifi në këtë çështje kishte votuar kundër propozimit për lirim nga monitorimi i blerësit të fabrikës “FAN”, më konkretisht, Agim Deshishkut, njërit nga të akuzuarit në këtë gjykim.

“Kam votuar kundër për shkak se nuk ishin përmbushur zotimet lidhur me punësimin në fabrikën e privatizuar” tha Arifi.

Megjithatë, Arifit nuk i kujtohej nëse blerësi kishte përmbushur 40% të zotimeve për investime në fabrikën “FAN”.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Naim Avdiu, Fisnik Salihu e pyeti Arifin nëse i kujtohej një raport i auditorit të brendshëm, i cili ndër të tjerash kishte vlerësuar se kompania Newco “FAN”, blerësi i fabrikës, kishte përmbushur zotimet për punësim në kuotën prej 103%, gjatë viteve 2006-2008.

Arifi deklaroi se i kujtohej deri diku një raport i tillë, por që sipas vlerësimit të tij në atë kohë gjendja e punëtorëve ishte e rëndë dhe se nuk mund të votonte në favor të lirimit nga monitorimi për shkak të punëtorëve.

Në disa prej pyetjeve të prokurores dhe mbrojtësve të të akuzuarve në lidhje me disa mbledhje të Bordit të AKP-së, dëshmitari Haxhi Arifi u përgjigj duke thënë se nuk i kujtoheshin mirë, pasi kishte kaluar një kohë prej se janë mbajtur ato mbledhje. Por, sipas tij, të gjitha deklarimet e anëtarëve të Bordit në procesverbalet e mbledhjeve mund të shërbejnë si referencë.

Sipas aktakuzës, Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona të tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të ndërmarrjes së re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime Prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN”, akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje. Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.